Nga Gazeta ‘Si’– Mes shumë episodeve të pazakonta që paraprinë sulmin SHBA-Izrael ndaj Iranit, një nga më të çuditshmet ishte ftesa që i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, i bëri ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi: një vizitë në grupin luftarak të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, së bashku me të dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner.
Ideja që Araghchi të linte negociatat në Oman për programin bërthamor të Iranit dhe të vizitonte një anije të dërguar pikërisht për të ushtruar presion ndaj vendit të tij, dukej e pazakontë, për të mos thënë absurde.
Por kjo ishte simptomë e mënyrës joortodokse se si Kushner dhe Witkoff i zhvilluan bisedimet bërthamore gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti- bisedime që u ndërprenë dy herë nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.
Një diplomat nga Gjiri, i njohur me negociatat, i përshkroi dyshen si “asete izraelite që e shtynë presidentin amerikan drejt një lufte nga e cila tani kërkon të dalë”.
Vetë Witkoff nuk e fsheh mungesën e ekspertizës rajonale. Në një intervistë ai e quajti ngushticën e Hormuzit “Gjiri i Hormuzit” dhe pranoi se njohuritë e tij për programin bërthamor iranian ishin të kufizuara, megjithëse pretendonte se ishte “i aftë ta diskutonte pasi e kishte studiuar”.
Gjatë raundit të parë të negociatave vitin e kaluar, Wtkoff rrallë mbante shënime dhe shoqërohej vetëm nga një këshilltar pa ekspertizë specifike për dosjen bërthamore iraniane.

Në kontrast, administrata Obama kishte dërguar dhjetëra zyrtarë të lartë dhe ekspertë në bisedimet me Iranin.
Kur negociatat rifilluan në Oman në shkurt, Witkoff mbërriti në Muscat i shoqëruar nga një komandant ushtarak amerikan me uniformë të plotë, një veprim që habiti palën pritëse dhe u konsiderua shkelje protokolli. Oficeri u kërkua të largohej nga takimi.
Sipas pjesëmarrësve, mungesa e kohës dhe ekspertizës ndikoi negativisht në proces. Në disa raste, për Iranin u lanë vetëm pak orë diskutimi, ndërkohë që bisedimet zhvilloheshin në mënyrë indirekte, duke i bërë edhe më të vështira.
Sot, pala iraniane beson se negociatat mund të kenë qenë një manovër për të fituar kohë ndërsa SHBA përgatiste praninë ushtarake në rajon. Nga ana tjetër, Witkoff i ka akuzuar iranianët për mashtrim.
Oferta e Gjenevës
Megjithatë, sipas burimeve, një marrëveshje ishte më afër se sa mendohej. Në raundin final në Gjenevë, Irani paraqiti një ofertë që përfshinte rikthimin e mbikëqyrjes së plotë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe reduktimin e rezervave të uraniumit të pasuruar.

Pika kryesore e bllokimit mbeti këmbëngulja e Iranit për të ruajtur të drejtën për pasurimin e uraniumit në të ardhmen. Ndërkohë, SHBA kërkoi një periudhë më të gjatë kufizimesh sesa ajo që ofronte Irani.
Megjithatë, të dyja palët kishin arritur dakordësi për heqjen e rreth 80% të sanksioneve, dhe negociatorët besonin se disa muaj të tjerë do të mjaftonin për të finalizuar marrëveshjen.
Ministri i Jashtëm i Omanit madje udhëtoi me urgjencë në Uashington për të theksuar se një marrëveshje ishte pranë, por përpjekja dështoi. Pak ditë më vonë, nisi lufta.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht vështirësive, një marrëveshje do të kishte lejuar rikthimin e inspektimeve ndërkombëtare dhe zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura.
“Të paktën shumë probleme mund të ishin zgjidhur,” thonë ata- një mundësi që tani duket e humbur.
Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje