Analize

Biznes me Putinin, takime sekrete, miliarda nga sheikët! Si po pasurohet Donald Trump

Steve Witkoff, i dërguari dhe partneri i biznesit të Donald Trump, u takua të paktën tre herë me presidentin rus, Vladimir Putinin pa praninë e një përkthyesi apo diplomatëve të tjerë amerikanë

Gazeta Si – Sa më shumë shtohen luftrat, vdekje dhe dëme në tregtinë ndërkombëtare dhe fuqinë blerëse të njerëzve të zakonshëm, aq më e vështirë bëhet të lidhësh ngjarjet.

Por duhen marrë parasysh këto zhvillime: Steve Witkoff, emisar dhe partner biznesi i Donald Trump, u takua të paktën tre herë me Vladimir Putin pa praninë e një përkthyesi ose përfaqësuesve të tjerë diplomatikë amerikanë; Emiratet e Bashkuara Arabe mbyllën një marrëveshje gjysmë miliardi dollarësh për 49% të aksioneve në “World Liberty Financial”, kompania e kriptomonedhave e themeluar në vjeshtën e vitit 2024 nga familjet Trump dhe Witkoff; Katari, Pakistani, Arabia Saudite, Vietnami dhe Omani janë ndër vendet që kanë lidhur marrëveshje biznesi me familjen e Trump që nga rizgjedhja e tij.

Por nuk është vetëm presidenti i SHBA-ve që na kujton lidhjen midis modeleve politike autokratike reale ose të dëshiruara, parave dhe destabilizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Shikoni Katarin, qasjen e tij ndaj udhëheqësit izraelit Benjamin Netanjahu, ose ndaj Libisë. Lidhja mes udhëheqësve, autokracisë dhe parave ekziston.

Edhe para ose pa Trump. Dhe është një nga faktorët më pak të diskutuar, por më të rëndësishëm, për të kuptuar kaosin në të cilin po rrëshqet sistemi ndërkombëtar.

Pa këtë faktor, ne tani do të jetonim në një botë më të sigurt dhe një ekonomi më të qëndrueshme. Le të shohim pse, duke filluar me faktet.

Takimi pa dëshmitarë

Steve Witkoff nuk flet rusisht dhe nuk kishte përvojë diplomatike apo lidhje të mëparshme me Rusinë. Megjithatë, më 11 shkurt 2025 ai u pa në Kremlin duke shtrënguar dorën me Vladimir Putin.

Takimi zgjati tre orë e gjysmë dhe përmbajtja e bisedës nuk u bë kurrë publike. I vetmi rezultat konkret që doli atë ditë ishte lirimi i Marc Fogel, një amerikan i arrestuar në Rusi dhe i dënuar me 14 vite burg.

Por është pak e besueshme që dy liderët të kenë diskutuar vetëm për këtë rast gjatë gjithë kohës. Ajo që e bën këtë takim të pazakontë, është fakti se nuk kishte asnjë përfaqësues amerikan që të mbante shënime dhe as përkthyes amerikan që të kontrollonte saktësinë e përkthimit rus. Për diplomacinë amerikane kjo është pothuajse e pa precedent.

Takime të ngjashme mes Witkoff dhe Putin u zhvilluan edhe dy herë të tjera në muajt pasues, sërish pa dëshmitarë apo përfaqësues amerikanë.

Largimi nga Ukraina

Përmbajtja e këtyre bisedimeve nuk dihet. Por që prej asaj kohe politika amerikane ndaj Ukrainës ka ndryshuar ndjeshëm.

Administrata amerikane pothuajse ka braktisur Kievin dhe presidenti Donald Trump është shfaqur gjithnjë e më hapur në anën e Rusisë.

Situata ka arritur deri aty sa në vitin 2026 Ukraina ka furnizuar më shumë armë për SHBA-në dhe aleatët e saj në Gjirin Persik, sesa ka marrë nga Uashingtoni, që në fakt është zero.

Biznesi me kriptovalutat

Pak javë para takimit mes Putin dhe Witkoff në Kremlin kishte ndodhur një tjetër episod që tregon mënyrën si funksionon rrethi i afërt i president Donald Trump.

Katër ditë para betimit për mandatin e dytë presidencial, familjet Trump dhe Witkoff arritën një marrëveshje me fondin e investimeve “Aryam Investment 1”, ku investon Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan, këshilltar i sigurisë kombëtare dhe pjesë e familjes sunduese të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëveshja, me vlerë 500 milionë dollarë, i jepte investitorit nga Abu Dhabi 49% të kompanisë së kriptomonedhave World Liberty Financial. Kontrata u bë publike vetëm pasi u zbulua nga “Wall Street Journal” në fillim të këtij viti.

Nga kjo marrëveshje familja Trump përfitoi rreth 187 milionë dollarë, ndërsa familja Witkoff rreth 31 milionë.

Pas kësaj Emiratet e Bashkuara Arabe morën dritën jeshile nga administrata Trump për të importuar çdo vit 500 mijë gjysmëpërçues të avancuar të prodhuar në SHBA. Kufizimet e mëparshme për eksportin e këtyre teknologjive u hoqën.

Çfarë po jep Trump (në këmbim të dollarëve)

Pra, pyetja nuk është nëse Trump dhe ata pranë tij po pasurohen që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, sepse kjo është e qartë për të gjithë: “New York Times” vlerëson fitimet e tij në 1.4 miliardë dollarë që nga fillimi i presidencës së tij të dytë. Pyetja më serioze është se për çfarë po shkëmben familja Trump (nëse ka).

Kjo shkon në zemër të paradoksit të kohës sonë. Tridhjetë ose njëzet vjet më parë, administratat e Bill Clinton dhe George W. Bush ishin të ndryshme në shumë mënyra, por të bashkuara në një pikë: ata ishin të bindur se mund t’i bënin vendet autokratike dhe të korruptuara të ish-Bashkimit Sovjetik ose Lindjes së Mesme më demokratike dhe transparente, të ngjashme (në teori) me vendet e përparuara.

Megjithatë, ngjitja po funksionon në drejtim të kundërt: fuqia e parave të autokracive kërcënon demokracitë dhe strukturat ndërkombëtare, si politikisht ashtu edhe në aspektin e aksesit në burime.

“Projekti Raven”

Merrni në konsideratë rastin “Raven”, një pararendës që duhet të kishte ndezur kambanat e alarmit. Në vitet 2010, shumë monarki të Gjirit ushqenin pakënaqësi në rritje ndaj Katarit, të akuzuar për financimin e terroristëve nga Al Kaeda, ISIS dhe Hamas, dhe për ndezjen e flakëve të Pranverës Arabe për të përmbysur qeveritë rajonale në pritje të ngritjes së Vëllazërisë Myslimane.

Duke pasur parasysh afërsinë e tij ideologjike islamiste, Katari ishte gjithashtu shteti arab i naftës që mbajti marrëdhëniet më të ngushta dhe më të përzemërta me Iranin gjatë gjithë dekadës.

Qeveria e Abu Dhabit, më pas nisi iniciativën e saj më të guximshme: ajo punësoi ish-agjentë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve për të kryer një sulm kibernetik (të quajtur “Projekti Raven”), i cili vodhi mijëra dokumente nga arkivat digjitale të qeverisë së Dohas.

Në vitet në vijim, ato që duket se janë letra nga ministri i Financave ose zyra e kryeministrit të Katarit, dalin në dritë, që përmbajnë urdhërpagesa për figura ose organizata me ndikim në vendet demokratike. Dokumentet u botuan për herë të parë nga platforma franceze e lajmeve “Blast”.

Fluksi i parave nga Katari, te politikanët perëndimorë

Kujt i drejtohen këto urdhëra pagese? Një letër nga Ministria e Financave në Doha, me shumë mundësi nga tetori i vitit 2011, përmban një urdhër pagese të supozuar për filozofin dhe aktivistin francez Bernard-Henri Lévy.

Shuma që do të transferohet është 40 milionë rialë katarianë, ekuivalente me pak më shumë se nëntë milionë euro.

Duhet theksuar se nuk ka prova që filozofi francez i ka marrë ndonjëherë këto fonde. Kjo ishte periudha gjatë së cilës Bernard-Henri Lévy luajti një rol shumë aktiv në bindjen e presidentit francez, Nicolas Sarkozy për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi për të mbështetur kryengritjen kundër Kolonel Muammar Gaddafit.

Katari, në atë kohë, gjithashtu mirëpriti përmbysjen e diktatorit laik të Tripolit, për të lehtësuar ngritjen e një qeverie islamiste të udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane.

“Blast” vë në dyshim nëse ka një lidhje midis rënies së Gaddafit dhe pagesës, të cilën dokumenti i publikuar e paraqet si të destinuar për Bernard-Henri Lévy.

Lévy mohon të ketë pasur ndonjë marrëdhënie me Katarin dhe padit gazetarët e “Blast” për shpifje, duke kërkuar 100,000 euro dëmshpërblim dhe tërheqjen e artikullit.

Rezultati: gjyqtarët francezë nuk vendosin për vërtetësinë e letrës, por ata vendosin kundër filozofit francez në Shkallën e Parë dhe në Apel, duke vënë në dukje se hetimi gazetaresk bazohet në verifikim të përpiktë.

Bernard-Henri Lévy heq dorë nga apeli i tij në Gjykatën e Lartë, megjithëse vazhdon ta mohojë të gjithë çështjen.

Dokumentet arabe

Kanë dalë edhe dokumente të tjera që i atribuohen Katarit. Një letër me sa duket nga Ministria e Ekonomisë në Doha në nëntor 2009, duket se urdhëron një pagesë prej 6 milionë euro për Carla Bruni-Sarkozy, gruan e presidentit francez, Nicolas Sarkozy.

Një tjetër, me shumë gjasa nga dhjetori 2010, bën të njëjtën kërkesë për nëntë milionë euro për Laurent Platini, djalin e ish-kampionit Michel Platini dhe atëherë një figurë kryesore në organizatat ndërkombëtare të futbollit (Katari atëherë synonte të fitonte organizimin e Kupës së Botës 2022).

Një letër tjetër nga janari 2018, duket se i jep tre milionë euro organizatës joqeveritare “Human Rights Watch” (e cila atë vit publikoi një raport çuditërisht pozitiv mbi situatën e të drejtave të njeriut në Emirate).

Pastaj janë letrat që me sa duket kanë të bëjnë me udhëheqësit. Disa prej tyre dyshohet se kanë të bëjnë me vetë Sarkozy-n: një urdhër pagese prej 15 milionë eurosh nga “Qatar Sports Investments” për të mbështetur ofertën e tij për Kupën e Botës 2022 dhe blerjen e Paris Saint-Germain; dhe dy urdhërpagesa të dyshuara me një total prej 65 milionë dollarësh, në vitet 2012 dhe 2018, për të mbështetur fushatat zgjedhore të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Në atë kohë dhe në vitet që pasuan, Katari ka përdorur gjithashtu fondet e tij në Parlamentin Evropian, ndër të tjera, për të nxitur kundërshtimin e Brukselit ndaj ngritjes së një zyrtari të Emirateve të Bashkuara Arabe në postin më të lartë në Interpol.

Duhet thënë se nuk ka dalë kurrë asnjë provë për të konfirmuar vërtetësinë e dokumenteve mbi Sarkozinë dhe Netanjahun.

Por asnjë prej tyre nuk i ka mohuar ose paditur zyrtarisht gazetat që raportuan përmbajtjen e letrave. Për më tepër, tre nga ndihmësit e ngushtë të Netanjahut, janë aktualisht nën hetim në Izrael me akuzat për marrjen e fondeve nga Katari, para dhe gjatë luftës së shkaktuar nga masakra e Hamasit e 7 tetorit 2023.

Disa analistë, besojnë se Netanjahu u habit plotësisht nga ato sulme, duke besuar se ai kishte krijuar një marrëdhënie të fortë me financuesit e Hamasit brenda qeverisë së Dohas.

Përbërësi i ç’rregullimit

Shumë gjëra na shpëtojnë. Por të dhënat e shpërndara në të gjithë sistemin ndërkombëtar, tregojnë të gjitha në të njëjtin drejtim: ngritja ekonomike, politike dhe ushtarake e qeverive autokratike, joliberale dhe personaliste po i bën transaksionet e errëta një përbërës kyç në kaosin e viteve të fundit.

Ka të ngjarë që asnjë nga luftërat në Evropë, Mesdhe dhe Lindjen e Mesme, nuk mund të kuptohet plotësisht pa parë flukset e parave cash, kriptomonedhave ose transferimet e fondeve nga parajsat fiskale.

Transformimi i Amerikës nën drejtimin e Trumpit, vetëm sa po e përshpejton këtë fenomen. Por pavarësisht nëse është një shkak apo thjesht simptoma e fundit, vetëm historianët e shekullit do ta zbulojnë (ndoshta).

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë