Rend dhe Ligj

Hapet zyrtarisht gara për drejtor të Policisë së Shtetit, si do përzgjidhet kryepolici i ri

Gazeta Si – Duke nisur nga sot, çdo oficer policie që mban gradën drejtues mund të kandidojë për postin e kryepolicit në një afat 7-ditor.

Pas lirimit të Ilir Prodës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme ka hapur zyrtarisht garën për kryepolicin e ri.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, MB njofton se aplikantët kanë aftat për dorëzimin e dokumenteve deri në datën 11 mars.

Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë gradën e rolit të mesëm drejtues dhe të mos jenë dënuar më parë për vepra penale apo të kenë masa disiplinore në fuqi.

Pas përfundimit të afatit 7-ditor, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore. Më pas komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët.

Komisioni i Posaçëm ngrihet nga ministria e Brendshme dhe përbëhet, nga kryetari që do të jetë një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm dhe dy anëtarë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Komisioni rendit kandidatët sipas pikëve të marra duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë.

Në përfundim të renditjes, ministri i propozon kryeministrit listën me kandidatët me vlerësimin më të lartë. Kryeministri hedh firmën i fundit.

Duke u respektuar të gjitha afatet kohore brenda muajit mars pritet të kemi emrin e ri të drejtorit të përgjithshëm të policisë.

Lirimi nga detyra i Ilir Prodës si drejtor, u zyrtarizua një ditë më parë me firmën e kryeministrit Edi Rama. Protesta e PD në 28 shkurt, ku militantët e Berishës sulmuan me molotovë vilën e Enver Hoxhës dhe rrezikuan jetët e artistëve që ndodheshin brenda saj, çoi në vendimin që Ilir Proda mos të mbante më postin si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, Albana Koçiu ka emëruar Sokol Bizhgën në krye të policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë