Nga Gazeta ‘SI’ – Të gjitha bizneset që disponojnë struktura akomoduese para ose pranë hapësirave të plazhit mund të aplikojnë nga sot për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, përmes portalit e-Albania.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se “për herë të parë, kjo mundësi ofrohet edhe për strukturat e shërbimit në plazhet përjashtimore”, pra për lokalet.
Sipas ministrit, për çdo stacion plazhi kërkohet vetëm një aplikim, ndërsa përgjigja merret elektronikisht brenda 30 ditëve.
Shërbimi “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi” u mundëson subjekteve që kanë struktura akomoduese para ose pranë plazheve të bëjnë kërkesë online për marrjen në përdorim të hapësirës për aktivitet turistik. Ky proces përfshin plazhet dhe bashkitë si Fier, Divjakë, Pogradec, Vlorë (Spille, Vilë-Bashtovë), Rrogozhinë (Shetaj), Gjiri i Lalzit, Hamallaj, Katundi i Ri, Porto-Romano, Currila, Durrës, Borsh, Llaman, Lukovë 2, Maraçi, Himarë, Rrjollit dhe Shkodër.
Kontrata për dhënien në përdorim të hapësirës së plazhit bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) dhe nënshkruhet për një periudhë nga 1 deri në 5 vjet, sipas vendimmarrjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik.
Ende nuk është e qartë se si do të veprohet për plazhet e Ksamilit dhe të Dhërmiut, për të cilat kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do të jenë zona të lira.
Ndërkohë, për të shmangur abuzimet dhe evazionin me çmimet e çadrave dhe shezlongëve, qeveria ka miratuar një rregullore të re, ku përcaktohen disa çmime tavan, nga bashkitë, sipas zonave bregdetare. Vendimi përcakton se Këshilli Bashkiak, përpara fillimit të çdo sezoni turistik, miraton çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare në territorin e njësisë vendore, të cilat shërbejnë si kufi maksimal për zbatimin e çmimeve nga subjektet private.
Periudha e ushtrimit të veprimtarisë në stacionet e plazhit shtrihet nga 1 maj deri më 15 nëntor të çdo viti, duke garantuar ofrimin e të gjitha shërbimeve dhe respektimin e kushteve minimale të përcaktuara për tipologjinë e plazhit ku zhvillohet aktiviteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje