Gazeta Si – Pas rreth 13 vjetësh, Engjëll Agaçi ka dhënë dorëheqjen këtë të premte nga posti si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Agaçi është tërhequr për arsye shëndetësore, ndërsa vendimi vjen pak orë pasi ai u paraqit në SPAK ditën e sotme, ku dyshohet se u pyet për çështjen e inceneratorëve.
Pas 13 vitesh, ai do të zëvendësohet nga Elsonida Rama, e cila më parë ka qenë Drejtoreshë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Engjëll Agaçi ka qenë shpesh i akuzuar nga opozita si i përfshirë në aferën inceneratorëve dhe si bashkëpunëtor i ngushtë i aferave të kryeministrit Rama.
Në fakt, ai është thirrur në SPAK disa herë të tjera: fillimisht në 14 tetor 2022 dhe në 17 maj 2024, ku pranoi se ishte pyetur nga prokurorët e posaçëm për inceneratorin e Tiranës.
Pas akuzave nga opozita, në dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ai ka mohuar se kishte pasur presion nga kryeministri Edi Rama për 17 procedura të kaluara brenda një dite në gjithë institucionet që duhet të jepnin një përgjigje, një ditë para se të mbahej mbledhja e Këshillit të Ministrave dhe të miratohej aty draft kontrata për inceneratorin e Elbasanit.
Agaçi hodhi poshtë çdo pretendim se qeveria ka miratuar kontratën në rastin e inceneratorit të Elbasanit. Ish-zyrtari pohoi se qeveria ka miratuar vetëm mbështetjen financiare pas marrjes së dakordësisë nga ana e Ministrisë së Financave, ndërsa si procedurat, ashtu edhe kontratën, e ka negociuar Ministria e Mjedisit.
Vitin e kaluar, kryeministri Edi Rama publikoi një video me Agaçin, ku bëri me dije se ai kishte patur probleme shëndetësore, madje i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Në një reportazh në prill 2024, televizioni italian RAI 3, transmetoi një reportazh mbi marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për kampet e refugjatëve që u ndërtuan në Gjadër të Lezhës.
Mes të tjerash, në këtë reportazh thuhet se njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria Meloni është Engjëll Agaçi, duke e cilësuar si avokat të bosëve shqiptar të krimit në Itali.
“Njeriu kyç në marrëveshjen e kërkuar nga qeveria Meloni është Engjëll Agaçi, sekretar i kryeministrit Edi Rama dhe ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës… Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali”, thuhet në reportazh.
Ndërkohë pas transmetimit të emisionit, Agaçi deklaroi, se do të padisë programin “Report”, pasi ai ka 10 vite që e ka lënë atë detyrë për të cilën është përmendur, duke shtuar se si një emision investigativ, do duhej që të kishte konfirmuar mirë informacionet dhe burimet.
Engjëll Agaçi ka qenë një nga bashkëpunëtorët më jetëgjatë të kryeministrit Rama, duke shërbyer si hallka kryesore mes vendimmarrjes politike dhe zbatimit ligjor të akteve të qeverisë.
Një ish dhjetorist i Universitetit Bujqësor Kamzë, në vitin 1990 ai doli jashtë vendit për t’u shkolluar e punuar, duke marrë licencën e avokatit, ku dhe do të mbronte në fillim shqiptarët e akuzuar për trafik droge në Itali.
Sipas raportimeve në media, ai u “rehabilitua” politikisht, pasi ka qenë avokat mbrojtës i ish-kryeministrit socialist Fatos Nano në një gjyq për shpifje kundër disa mediave italiane, gjyq që Agaçi e ka fituar në favor të ish kryeministrit të ndjerë shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



