Drejtësia

Engjëll Agaçi, rreth 4 orë para prokurorëve të SPAK: Isha për incineratorin e Tiranës, por kjo nuk përbën lajm

Gazeta Si - Pas më shumë se 4 orësh, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi ka dalë nga ambientet e SPAK-ut.

Ai u shpreh se dëshmoi para prokurorëve të SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës, ndërsa theksoi se është në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë.

“Isha sot si person në dijeni për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të përbëjë një lajm, pasi të gjithë ne duhet të jemi në funksion të organit të drejtësisë, të cilit i uroj punë të mbarë”, tha Agaçi, pasi doli nga ambientet e SPAK, ku foli shkurtimisht.

Agaçi është thirrur edhe më parë lidhur me dosjen e inceneratorëve. Në tetor 2022, u pyet rreth një orë lidhur me këtë aferë.

Zyrtari i lartë i qeverisë, është akuzuar nga opozita si i përfshirë në aferën e Inceneratorëve, ndërsa është thirrur si dëshmitar edhe në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për këtë çështje.

Para Agaçit në SPAK për çështjen e inceneratorëve, janë thirrur edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ku kanë dhënë shpjegimet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë