Gazeta “SI”- Një raport i publikuar nga Live Science tregon se trakët e hershëm të Epokës së Hekurit, që jetonin në territorin e sotëm të Bullgarisë, konsumonin në raste të veçanta mish qeni rreth 2.500 vjet më parë. Përfundimi bazohet në një rishikim të të dhënave arkeologjike mbi kocka qensh të therur, të zbuluara në 10 site arkeologjike në Bullgari.
Sipas zooarkeologes Stella Nikolova nga Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, konsumimi i mishit të qenit nuk lidhej me varfëri apo mungesë ushqimi.
“Mishi i qenit nuk ishte një domosdoshmëri e diktuar nga varfëria, pasi këto site janë të pasura me bagëti, e cila ishte burimi kryesor i proteinave,” shpjegon ajo.
Analiza tregon se shumica e mbetjeve të qeneve i përkisnin qenve me përmasa mesatare, të cilët mund të jenë përdorur si qen roje. Shenjat e prerjes në kockat e tyre janë të ngjashme me ato që gjenden te delet dhe gjedhët e therura për konsum, duke sugjeruar se përpunimi i mishit ishte i qëllimshëm.

Megjithatë, kockat e qenve përbënin vetëm rreth dy për qind të mbi 80 mijë kockave shtazore të zbuluara në Emporion Pistiros, një qendër tregtare e Epokës së Hekurit në Trakinë e brendshme. Sipas Nikolovës, kjo tregon se mishi i qenit mund të jetë përdorur kryesisht në raste të veçanta, ndoshta gjatë banketeve ose ritualeve komunitare tradicionale.
Studiuesja vëren gjithashtu se në periudha më të vona, qentë në këtë vendbanim janë varrosur të paprekur, çka mund të tregojë një ndryshim në qëndrimin e komunitetit ndaj këtyre kafshëve. “Nuk besoj se qentë shiheshin si kafshë shtëpiake në kuptimin modern të fjalës,” thekson Nikolova.
Zbulimi hedh dritë mbi marrëdhënien komplekse mes njeriut dhe qenit në shoqëritë e lashta të Ballkanit dhe sugjeron se roli i qenit ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës.
Burimi: Archaeology News
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



