Ekonomi

Shqiptarët, populli që po tkurret më shpejt në Europë. Sa do t’i kushtojë ekonomisë?

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët renditen si popullsia që po tkurret më shpejt në të gjithë Europën, si pasojë e një kombinimi të fortë mes emigracionit masiv dhe rënies së lindshmërisë. Sipas të dhënave të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Shqipëria dhe Kosova kanë përjetuar nivelet më të larta të emigracionit që prej viteve 1990 dhe rrjedhimisht tkurrjen e popullsisë.

Raporti i BERZH-it thekson se emigrimi masiv është një fenomen i përbashkët për të gjitha vendet ish-komuniste, por intensiteti i tij ka qenë veçanërisht i lartë në Kosovë dhe Shqipëri. Konkretisht, rreth 50% e popullsisë së Kosovës dhe 47% e popullsisë së Shqipërisë kanë emigruar që nga rënia e komunizmit, duke prodhuar pasoja të thella demografike, ekonomike dhe sociale.

Ekonomitë post-komuniste, përfshirë Shqipërinë, po plaken përpara se të pasurohen, thekson raporti. Edhe pse përmirësimet në jetëgjatësinë kanë luajtur një rol në këtë proces, faktori kryesor i plakjes mbetet rënia e vazhdueshme e normave të lindshmërisë.

Për Shqipërinë, pasojat janë veçanërisht të dukshme. Vendi ka përfituar nga rritja e peshës së popullsisë në moshë pune deri në vitin 2023, por kjo periudhë tashmë ka përfunduar. Sipas vlerësimeve të BERZH-it, kostoja e plakjes së popullsisë për Shqipërinë vlerësohet në 0.28 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike vjetore, çka përfaqëson një rënie prej 0.53 pikë përqindjeje krahasuar me dividentin demografik mesatar të përfituar gjatë periudhës 2000–2023.

Analiza e BERZH-it tregon se në ekonomitë e BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe rajonit EEC, rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë pritet të ulet mesatarisht me 0.36 pikë përqindjeje gjatë periudhës 2024–2050, krahasuar me një skenar pa plakje të popullsisë. Arsyeja kryesore është fakti se shumë prej këtyre vendeve kanë tashmë një popullsi relativisht të moshuar. Për shembull, ekonomia mesatare e BERZH-it në BE ka një moshë mediane prej 43 vitesh, e krahasueshme me vende si Austria, Finlanda apo Spanja.

Si rrjedhojë, goditjet demografike më të forta pritet të ndodhin gjatë dy dekadave të ardhshme. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit, kur brezat aktualë më të moshuar të dalin gradualisht nga struktura e popullsisë, raporti i popullsisë në moshë pune pritet të stabilizohet dhe ndikimi negativ i plakjes mbi rritjen ekonomike të zbutet, duke rënë mesatarisht në 0.18 pikë përqindjeje në vit gjatë periudhës 2050–2100.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë