Taksa

Ekonomia e argjendtë/ Shqipëria josh pensionistët e huaj me lehtësira tatimore

Nga Gazeta ‘Si’- Përballë emigrimit të të rinjve shqiptarë, qeveria ka vednosur të ‘joshë” pensionistët e huaj dhe ata të diasporës, me qëllim jetëzimin e “ekonomisë së argjendtë”.

Me anë të një projektligji që ka shkuar në Kuvend, synohet të përjashtohen nga tatimi të ardhurat e përfituara në një shtet të huaj, për pensionistët që regjistrohen si rezidentë të Shqipërisë.

“Në kushtet e një konkurrence të fortë për tërheqjen e rezidentëve me të ardhura të qëndrueshme nga vendet e zhvilluara, heqja e barrierave tatimore për pensionet e përfituara jashtë vendit i jep Republikës së Shqipërisë një avantazh strategjik. Propozimi i këtij projektligji dërgon një sinjal të qartë dhe ftesë për diasporën shqiptare, pasi ky përjashtim tatimor shërben si një instrument efikas stimulues për t’i inkurajuar ata, që vitet e pensionit t’i kalojnë në atdhe”, argumentohet në draft.

Sipas relacionit shpjegues, kjo masë nuk përbën rrezik për buxhetin e shtetit, pasi këta pensionistë nuk kanë kontribuar historikisht në sistemin vendas dhe nuk krijojnë barrë mbi skemën shqiptare të sigurimeve shoqërore. Përfitimi ekonomik pritet të jetë indirekt, përmes rritjes së konsumit në shërbime, turizëm, shëndetësi private dhe investimeve të mundshme në pasuri të paluajtshme.

Projektligji adreson gjithashtu një problematikë sociale duke saktësuar trajtimin tatimor për personat që kanë statusin e të verbërit dhe duke i përjashtuar ata nga tatimi mbi të ardhurat.

Propozimi, që të ardhurat nga pensionet dhe shpërblimet e tjera të ngjashme, të përfituara nga një shtet i huaj, sipas legjislacionit të atij shteti, nga individë, të cilët janë rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale, vjen si një përgjigje e nevojshme ndaj dinamikave të reja demografike dhe ekonomike në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë