Nga Gazeta ‘Si’- Kërkesa e Sali Berishës për një qeveri teknike ka rikthyer në qendër të debatit politik një formulë të vjetër, e cila zakonisht del nga sirtari sa herë opozita ndjehet e pafuqishme për ta përballur pushtetin.
Por a kemi të bëjmë me një strategji reale të Partisë Demokratike për ndryshim politik, apo me një mekanizëm presioni dhe mobilizimi që synon më shumë sheshet sesa institucionet?
Në një intervistë për Gazetasi.al, analisti politik Mentor Nazarko ofron një lexim të matur dhe kritik të kësaj kërkese, duke e vendosur atë jo vetëm në raport me opozitën, por edhe me konsumimin e gjatë të pushtetit socialist, rënien e standardeve morale dhe mungesën e reformave reale në Shqipëri.
Strategji për të rrëzuar status quo-në
Sipas Nazarkos, kërkesa për qeveri teknike nuk duhet parë thjesht si retorikë proteste. Ajo mund të lexohet si një përpjekje për të tronditur status quo-në politike dhe për t’i dhënë një goditje zhvlerësuese Partisë Socialiste, e cila prej vitesh kontrollon pothuajse çdo hallkë të pushtetit.
Sipas tij, strategjia e opozitës nuk është përplasja e drejtpërdrejtë elektorale, por një proces gradual dobësimi: rënie autoriteti, diskreditim publik dhe përputhje e kohës politike me zhvillimet në drejtësi.
Në këtë logjikë, qeveria teknike shihet si instrumenti që do të garantonte një terren më të favorshëm për zgjedhje, vetëm pasi PS të jetë konsumuar mjaftueshëm politikisht dhe moralisht.
Por a jemi sot në një krizë politike që justifikon një zgjidhje të tillë?
Sipas Nazarkos, po.
Në një demokraci me standarde të larta, fakti që disa ministra me peshë ndodhen në hetim ose nën akuzë do të mjaftonte për të shpallur krizë politike. Në Shqipëri, kjo nuk ndodh më. Zgjedhjet e fundit, të fituara nga PS pavarësisht këtyre zhvillimeve, e kanë relativizuar ndjeshëm nocionin e përgjegjësisë morale.

“Jemi në një kohë kur standardet morale pësojnë bjerrje të vazhdueshme. Si pasojë, diçka që ishte moralisht e justifikueshme përpara disa muajsh, nuk është më sot. Sigurisht që jemi në krizë politike në momentin kur një numër i madh ministrash me profil të lartë janë në gjendje akuze”, vëren ai për Gazetasi.al.
“Me standardet e Perëndimit, ne jemi në mes të një krize të thellë politike”, argumenton Nazarko. Por paradoksi shqiptar, sipas tij, është se kjo krizë është bërë pjesë e normalitetit.
Ajo që e shqetëson më shumë analistin nuk është vetëm përdorimi i kauzës morale nga opozita, por fakti që kjo kauzë shfaqet si zëvendësim i debatit për dështimet strukturore të qeverisjes.
Pas 13 vitesh në pushtet, thekson ai, qeveria socialiste nuk ka arritur të përmbyllë asnjë reformë thelbësore në shëndetësi, arsim apo bujqësi, dhe kjo, sipas tij, është një problem shumë më i madh sesa retorika morale e ditës.


Qeveria teknike, iluzion politik
Në leximin e Nazarkos, qeveria teknike nuk përfaqëson një zgjidhje transformuese. E kufizuar në autoritet dhe e mbikëqyrur nga të dyja palët, ajo, sipas tij, nuk do të ishte në gjendje të prodhonte politika të reja apo reforma domethënëse.
Roli i saj, në rastin më të mirë, do të ishte teknik: garantimi i një procesi zgjedhor më të paanshëm. Përtej kësaj, pritshmëritë për ndryshim real mbeten të ekzagjeruara.
Madje, Nazarko e konsideron kërkesën për qeveri teknike si iluzion politik, nëse nuk plotësohen dy kushte themelore: një mobilizim masiv dhe i qëndrueshëm qytetar dhe një presion ndërkombëtar që qeveria aktuale të mos mund ta injorojë.
Pa këta faktorë, ideja mbetet më shumë një slogan sesa një projekt i realizueshëm.
Kur vjen fjala te Partia Demokratike, Nazarko nuk lë shumë hapësirë për interpretime të buta. Pyetja nëse PD ka nevojë për rinovim apo thjesht për konsolidim rreth figurave ekzistuese, sipas tij, është pothuajse retorike.
“I jam përmbajtur pikëpamjes se PD duhet të riformohet, pse jo edhe të rithemelohet, sepse me të njëjtët njerëz dhe të njëjtat metoda, siç thotë Einstein, arrihen të njëjtat rezultate – madje edhe më të këqija, për shkak të vjetërimit të tyre.
Një figurë e re në moshë, e cila nuk mbart bagazhin e së shkuarës, në krye të PD-së, do të mund ta rrëzonte Partinë Socialiste. I referohem këtu situatës zgjedhore të vitit 2021, kur për vetëm 20 mijë vota opozita nuk fitoi”, vëren ai.
Në këtë pikë, Nazarko sjell edhe përvojën e vendeve të Europës Lindore, ku partitë e dala nga tranzicioni i hershëm nuk ekzistojnë më në formën e tyre fillestare. Për të, kjo është një dëshmi se rinovimi i thellë nuk është luks, por domosdoshmëri.
Për fund, debati zhvendoset nga formula e qeverisë teknike te problemi më i madh i politikës shqiptare: mungesa e një alternative të besueshme dhe të rinovuar.
Qeveria teknike që kërkon Berisha mund të jetë një mjet presioni, një taktikë mobilizimi apo një zgjidhje e përkohshme procedurale. Por ajo nuk duket se është përgjigjja për krizën e gjatë të përfaqësimit, reformave dhe besimit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



