Nga Gazeta ‘Si’- Sa herë që bie shi intensiv, Shqipëria përjeton një cikël të njohur: rrugë të përmbytura, banesa nën ujë dhe kryeministri që rikthen ide të vjetra për kanalet kulluese.
Edhe pse çdo ide për menaxhimin e tyre paraqitet si diçka e re, në fakt është gjithmonë një masë e rikthyer nga e shkuara.
Njëjtë është dhe masa e fundit që Rama njoftoi, e prezantuar si ‘task forcë’ – një strukturë koordinuese qeveri-bashki që do të hartojë një plan me tre faza për menaxhimin e kanaleve dhe mbetjeve.
Rama tha se kjo flotë do të realizohet përmes një fondi prej 20 mln eurosh që vendit tonë i është vënë në dispozicion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas tij kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën.
Plane të ngjashme, me piketa gati të njëjta janë prezantuar edhe më herët nga Rama dhe rastet e zbatimit në terren tipikisht kanë qenë sporadike.
Historia na e dëshmon këtë.
Në nëntor të vitit 2015, teksa falenderonte Bashkimin Europian për një fond të dhënë për shmangien e përmbytjeve, kryeministri Edi Rama tha se qeveria kishte gati një reformë që sipas tij do transformonte rrënjësisht kanalet kulluese: bordet e kullimit.

Masa ishte pak a shumë e njëjtë më task-forcën e njoftuar së fundmi: bashkitë do të merrnin kompetencat dhe përgjegjësitë për kanalizimet.
Qëllimi ishte që deri në 2017-n, të bëhej e mundur ujitja e tokave për rreth 100.000 fermerë dhe të parandaloheshin përmbytjet duke pastruar të gjithë kanalet kulluese dhe ato ujitëse.
Sistemi sipas Ramës do të monitorohej me teknologji moderne si GPS për të parandaluar abuzimet dhe raportimet false të punëve të kryera.
Por reforma nuk arriti objektivin e saj kryesor.
Zonat e Nënshkodrës, Myzeqesë dhe Lezhës vijuan të përmbyteshin, bashkitë nuk morën buxhet të mjaftueshëm dhe bordet shpesh u mbushën me emërime politike, jo teknike.
Pas dështimit të kësaj reforme, dy vite më vonë, Ministria e Bujqësisë publikoi një strategji të re të ujitjes dhe kullimit në Shqipëri.
Ky dokument përfshinte masa të reja për të parandaluar përmbytjet në vend. Një nga shtyllat e strategjisë ishte kalimi i përgjegjësive po te bashkitë, pas reformës territoriale.
Në teori, pushteti vendor do të ishte më afër territorit dhe do të reagonte më shpejt.
Sa i takon masave që do ndërmerreshin, në dokument shkruhej se rreth 300 km argjinatura do riparoheshin, rikonstruktoheshin apo ri-dimensionoheshin për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur dekadave të fundit.
Ministria theksoi se do bëhej një vlerësim për veprat shtesë që nevojiteshin për rastet e përmbytjeve për zonat me shkallë të mesme e të lartë rreziku, për veprat ekzistuese dhe gjendjen e tyre, si dhe për standardet që duhen arritur.
Edhe pse në letër dukej si zgjidhje përfundimtare, në realitet dështoi. Strategjia supozonte se bashkitë do ta përballonin barrën, por kjo gjë në shumë raste rezultoi e pamundur.
Kanalet pastroheshin një vit dhe vitin tjetër mbesnin pa ndërhyrje gjë që çoi sërish në përmbytje në Kutallë, Fier dhe Myzeqe.
Nga 2017-a e këtej, Rama ka premtuar vazhdimisht pastrim të kanaleve kulluese dhe ka publikuar tek-tuk punë të kryera, kryesisht në aksin Shkodër-Velipojë apo në Fier.
Por kjo nuk ka mjaftuar. Shqipëria vazhdon të përballet me përmbytje.
Ndonëse planet u rishkruan dhe strukturat u riformatuan, masat ndryshuan formë por jo përmbajtje.
Qeveria vazhdon të ripaketojë të njëjtat masa të vjetra, nën etiketa të reja reformash të cilat deri tani nuk kanë kaluar as vijat…e kullimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



