Shkencë

Energjia e errët është bërë edhe më e çuditshme dhe pse Universi mund të përfundojë në një ‘Përplasje të Madhe’

Ka polemika në rritje mbi provat e fundit që sugjerojnë se një forcë misterioze e njohur si energji e errët mund të jetë duke ndryshuar në një mënyrë që sfidon kuptimin tonë aktual të kohës dhe hapësirës.

Një analizë nga një ekip i Koresë së Jugut ka lënë të kuptohet se, në vend që Universi të vazhdojë të zgjerohet, galaktikat mund të tërhiqen përsëri nga graviteti, duke përfunduar në atë që astronomët e quajnë një “Përplasje e Madhe”.

Shkencëtarët e përfshirë besojnë se mund të jenë në prag të një prej zbulimeve më të mëdha në astronomi.

Astronomë të tjerë i kanë vënë në dyshim këto gjetje, por këta kritikë nuk kanë qenë në gjendje t’i hedhin poshtë plotësisht pohimet e ekipit të Koresë së Jugut.

Çfarë është energjia e errët?

Më parë, astronomët mendonin se zgjerimi i Universit, i cili filloi me Big Beng rreth 13.8 miliardë vjet më parë, duhet të ngadalësohej gradualisht për shkak të gravitetit.

Më pas, në vitin 1998 u zbuluan prova për energjinë e errët si një forcë që përshpejtonte zgjerimin e Universit. Studimet e yjeve shumë të ndritshëm që shpërthenin, të quajtur supernova, treguan se në vend që të ngadalësoheshin, galaktikat e largëta në fakt po përshpejtoheshin duke u larguar nga njëra-tjetra.

Disa teori sugjeruan se ky Univers gjithnjë e më i përshpejtuar mund t’i përhapte fillimisht yjet aq larg njëri-tjetrit saqë pothuajse asgjë nuk do të ishte e dukshme në qiellin e natës dhe, më tronditëse, përfundimisht mund të copëtonte edhe vetë atomet.

Polemika filloi në mars me rezultate të papritura nga një instrument në një teleskop në shkretëtirën e Arizonës i quajtur Instrumenti Spektroskopik i Energjisë së Errët (Desi).

Desi u ndërtua për të zbuluar më shumë rreth energjisë së errët. Ai gjurmoi përshpejtimin e miliona galaktikave me detaje të shkëlqyera, por astronomët nuk prisnin rezultatet që doli.

Të dhënat linin të kuptohej se përshpejtimi i galaktikave kishte ndryshuar me kalimin e kohës, diçka që nuk ishte në përputhje me pamjen standarde, sipas Prof Ofer Lahav të University College London, i cili është i përfshirë në projektin Desi.

“Tani me këtë energji të errët në ndryshim që shkon lart e poshtë, përsëri, na duhet një mekanizëm i ri. Dhe kjo mund të jetë një tronditje për të gjithë fizikën,” thotë ai.

Pastaj në nëntor, Shoqëria Mbretërore Astronomike (RAS) publikoi një hulumtim nga një ekip i Koresë së Jugut që duket se mbështet pikëpamjen se çuditshmëria e energjisë së errët është edhe më e çuditshme.

Prof Young Ëook Lee i Universitetit Yonsei në Seul dhe ekipi i tij u rikthyen te lloji i të dhënave të supernovës që zbuluan për herë të parë energjinë e errët 27 vjet më parë. Në vend që t’i trajtonin këto shpërthime yjore si të një shkëlqimi standard, ata i përshtatën për moshat e galaktikave nga të cilat vinin dhe përcaktuan se sa të ndritshme ishin në të vërtetë supernovat.

Kjo përshtatje tregoi se jo vetëm që energjia e errët kishte ndryshuar me kalimin e kohës, por, çuditërisht, se përshpejtimi po ngadalësohej.

“Fati i Universit do të ndryshojë”, thotë Prof Lee për BBC News në mënyrë të prerë.

“Nëse energjia e errët nuk është konstante dhe po dobësohet, kjo do të ndryshojë të gjithë paradigmën e kozmologjisë moderne.”

Nëse, siç sugjerojnë rezultatet e Prof Lee, forca që po i largon galaktikat nga njëra-tjetra – energjia e errët – po dobësohet, atëherë një mundësi është që ajo të bëhet aq e dobët sa graviteti të fillojë t’i tërheqë galaktikat përsëri së bashku.

“Në vend që të përfundojë me një Çarje të Madhe, një Përplasje e Madhe është tani një mundësi. Cili rezultat fiton, varet nga natyra e vërtetë e energjisë së errët, për të cilën ende nuk e dimë përgjigjen,” thotë Prof Lee.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë