Shkencë

Biseda sekrete mes trurit dhe zorrëve…

Të gjithëve na ka ndodhur. Jemi gati të hyjmë në një takim, duart na djersijnë, mendimet na vërshojnë dhe diçka brenda nesh na thotë se nuk është momenti i duhur. “I besova instinktit tim”, i themi vetes.

Kjo “ndjesi e barkut” mund të ndikojë në vendime të ndryshme, nga zgjedhjet e përditshme deri te vendimet e rëndësishme të jetës. Dhe ndërsa dikur konsiderohej thjesht një shprehje, kërkimet shkencore kanë treguar se ekziston vërtet një lidhje e fuqishme mes trurit dhe zorrëve.

Shkencëtarët bëjnë megjithatë një dallim të rëndësishëm: lidhja biologjike zorrë-tru është reale, por kjo nuk do të thotë se çdo “instinkt” që ndiejmë është domosdoshmërisht i saktë.

“Ekziston një shkëmbim i konsiderueshëm informacioni midis zorrëve dhe trurit dhe boshti zorrë-tru është një nga sistemet që komunikon më aktivisht në trup”, thotë Julia Zumpano, dietologe në Klinikën Cleveland.

Zorra përmban atë që shpesh quhet “truri i dytë”, sistemi nervor enterik, i përbërë nga më shumë se 500 milionë neurone. Ky rrjet komunikon me trurin dhe mbledh informacion mbi gjendjen e brendshme të organizmit.

Si komunikojnë truri dhe zorrët?

Mes tyre ekziston një lidhje e dyanshme, ku një rol kryesor luan nervi vagus. Sinjalet udhëtojnë në të dyja drejtimet dhe ndikojnë në funksione të ndryshme, nga uria, tretja dhe nevoja për të shkuar në tualet, deri te të përzierat dhe dhimbja.

Kjo lidhje mund të ndikojë gjithashtu në gjumin, metabolizmin, funksionin imunitar, gjendjen shpirtërore dhe proceset njohëse.

Megjithatë, emocionet nuk krijohen në zorrë. Ato gjenerohen në tru.

Neuroshkencëtari Peter Holzer ka argumentuar se sinjalet që udhëtojnë mes zorrëve dhe trurit i japin trurit informacion mbi gjendjen e brendshme të trupit. Ky proces, i njohur si interocepcion, ndihmon trurin të përpunojë sinjalet që vijnë nga organet e brendshme.

Edhe studiues të tjerë, përfshirë gastroenterologun dhe neuroshkencëtarin Emeran Mayer, kanë studiuar prej vitesh mënyrën se si boshti zorrë-tru lidhet me emocionet, njohjen dhe gjendje të ndryshme shëndetësore.

Shëndeti i zorrëve ka rëndësi

Një rol të rëndësishëm në këtë komunikim luan edhe mikrobioma e zorrëve, pra komuniteti i mikroorganizmave që jetojnë në sistemin tretës.

Për ta mbështetur atë, ekspertët rekomandojnë një dietë të larmishme, të pasur me fibra dhe ushqime me bazë bimore. Arrat, farat, bishtajoret, frutat, perimet dhe drithërat integrale janë ndër ushqimet e rekomanduara.

Gjithashtu mund të përfshihen ushqime të fermentuara, si kosi, kefiri, kimchi, miso dhe lakra turshi, si dhe ushqime të pasura me Omega-3, si salmoni, toni dhe skumbri.

Zumpano këshillon gjithashtu reduktimin e sheqerit dhe ushqimeve shumë të përpunuara dhe mbajtjen e trupit të hidratuar.

“Përmirësimi i lidhjes midis zorrëve dhe trurit përqendrohet te përmirësimi i shëndetit të zorrëve, mbështetja e baktereve të dobishme dhe reduktimi i inflamacionit”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë