Menaxhim

180 mln euro për rijetëzimin e minierave në vend. Qeveria kërkon rikthimin e ekspertëve të ikur

Nga Gazeta ‘SI’ – Me anë të një ligji që ndodhet aktualisht në proces konsultimi, qeveria shqiptare synon të rijetëzojë sektorin minerar, duke e kthyer atë në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare.

Strategjia për sektorin minerar 2026–2040 parashikon fillimisht përmirësimin e kuadrit ligjor, me qëllim ndarjen e qartë të përgjegjësive institucionale dhe funksionale, si dhe rregullimin e çdo hallke të zinxhirit minerar përmes licencave të posaçme. Synimi kryesor është krijimi i një sektori minerar të sigurt, të qëndrueshëm dhe plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.

Deri në 2030, qeveria parashikon që të paktën 30% e xeherorit të kromit, bakrit dhe nikelit të përpunohet brenda territorit shqiptar, si rezultat i investimit në fabrika e rafineri.

Sipas draftit, sektori minerar në Shqipëri përballet aktualisht me problematika serioze, si niveli i lartë i aksidenteve në punë, ndotja mjedisore nga zonat historike minerare, mungesa e rehabilitimit dhe mbikëqyrja institucionale e fragmentuar. Këto faktorë e mbajnë sigurinë teknike dhe mbrojtjen e mjedisit nën mesataren evropiane.

Një tjetër fokus i strategjisë është rigjallërimi i arsimit profesional dhe universitar në degët që lidhen me sektorin minerar. Parashikohet rikthimi i ekspertëve nga diaspora, zbatimi i programeve të mentorimit dhe përmirësimi i shkollave profesionale, me synim përgatitjen e profesionistëve të aftë për të përballuar transformimin teknologjik të industrisë minerare.

Risi e rëndësishme e reformës është edhe ndërtimi i një databaze kombëtare të integruar dhe dixhitale, e cila do të përfshijë të gjitha të dhënat minerare dhe gjeologjike të vendit, duke rritur transparencën, kontrollin dhe efikasitetin në menaxhimin e burimeve natyrore.

Sipas vlerësimeve paraprake, zbatimi i kësaj strategjie do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 55 milionë euro gjatë pesë viteve të ardhshme dhe të paktën 114 milionë euro-180 mln deri vitin 2040, në varësi të skenarëve të zhvillimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë