Menaxhim

PAYT, tarifa e re për mbetjet: Shqiptarët do të paguajnë sipas sasisë që hedhin

Nga Gazeta ‘SI’- Pavarësisht nismave të ndërmarra ndër vite, menaxhimi i mbetjeve të prodhuara nga familjet dhe bizneset vazhdon të jetë një “dhimbje koke” për institucionet përgjegjëse.

Së fundmi, Ministria e Mjedisit ka hartuar një projekt të ri, i cili synon përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve përmes aplikimit të tarifës për trajtimin e tyre, bazuar në parimin “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT). Sipas projektaktit, përpara zbatimit të këtij parimi, parashikohet vendosja e një tarife fikse të dedikuar për trajtimin e mbetjeve, e diferencuar për qytetarët, bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Vendosja e tarifës synon të rrisë ndërgjegjësimin se trajtimi i mbetjeve ka një kosto reale dhe se kjo kosto lidhet drejtpërdrejt me sasinë e mbetjeve të prodhuara. Tarifat mund të mblidhen përmes mekanizmave të ndryshëm, përfshirë përfshirjen e tyre në faturat e ujit ose të energjisë elektrike, ndërsa mënyra konkrete e mbledhjes mbetet në diskrecion të bashkive.

Një fokus i veçantë i programit të ri i kushtohet parandalimit të shpërdorimit të ushqimit dhe reduktimit të mbetjeve bio, proces që sipas qeverisë është më efektiv dhe ekonomik sesa vetë trajtimi i mbetjeve. Masat përfshijnë parandalimin e mbetjeve përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nxitjen e dhurimit të ushqimit përmes stimujve ligjorë dhe fiskalë, si dhe promovimin e kompostimit në banesë si një zgjidhje praktike për reduktimin e mbetjeve organike.

Në tërësi, masat e propozuara janë në përputhje me politikat kombëtare ekzistuese dhe synojnë përforcimin e kuadrit rregullator për parandalimin e mbetjeve, krijimin e një mjedisi të favorshëm për bizneset në zbatimin e praktikave të ekonomisë qarkulluese, si dhe promovimin e konsumit dhe prodhimit të qëndrueshëm përmes ripërdorimit dhe riparimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë