Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka njoftuar çeljen e një kapitulli të ri të negociatave me BE-në që do të thotë nisja e reformimit të bujqësisë.
Në një aktivitet me fermerët, Rama prezantoi mekanzimat e reja në funksion të bujqve duke theksuar rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë deri në 100 milionë euro dhe krijimin e platformës “Euro Agro Albania”, si një instrument të ri koordinimi dhe informacioni për fermerët.
“Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë që duam ta çojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit dhe të Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një kredi inovative dhe patjetër me mbështetje e AZHBR-së dhe të BE, do të kemi mundësinë që t’i vëmë në dispozicion fermës shqiptare një fakt që për askënd nuk do të jetë çështje lekësh dhe fondesh, për gjithkënd do të jetë një çështje të projekteve të duhura. Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme. Është udhërrëfyes për të gjithë ju në çdo hap të procesit të negociatave, është burim informacioni për standarde, afate e detyrime konkrete”, tha kryeministri.
Ndër të tjera, ai tregoi edhe hapat konkretë që do të ndiqen për modernizimin e bujqësisë.
“Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administratave të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrin kombëtar të fermave, parcelave dhe kafshëve. Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE-ja. Sot kemi një nivel komplet tjetër të cilësisë së analizave, por na duhet të përfundojmë projektin dhe do të shtyjmë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren, ku do të mbështetemi tek Universiteti Bujqësor i Tiranës.”
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dha më shumë detaje nga platforma në shërbim të fermerëve.
“Sot ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi.
- Platforma konkretisht do të sjellë:
- Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
- Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
- Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime.
Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë. Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot. Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje. Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish”, përfundoi ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




