Bota

Putin fyen liderët europianë: ‘Derra të vegjël’, Rusia do fitojë në fushën e betejës

Gazeta Si – Në fjalimin e tij para Këshillit të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, presidenti rus Vladimir Putin trajtoi disa tema, siç raportohet nga agjenciale lajmeve “RIA Novosti”.

Fillimisht ai sulmoi drejtpërdrejt liderët europianë, të cilët i quajti “derra të vegjël”, dhe duke paralajmëruar se Rusia do t’i realizojë objektivat e saj territoriale në Ukrainë, qoftë përmes diplomacisë apo përmes forcës ushtarake.

Putin deklaroi se synimet e asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” do të përmbushen “pa kushte”.

“Nëse ata nuk duan një diskutim thelbësor, atëherë Rusia do t’i çlirojë tokat e saj historike në fushën e betejës”, – u shpreh ai.

Putin akuzoi gjithashtu administratën e mëparshme amerikane se “e drejtoi qëllimisht situatën drejt një konflikti të armatosur”, duke shtuar se Uashingtoni besonte se Rusia mund të dobësohej apo edhe të shkatërrohej brenda një kohe të shkurtër.

Në vijim, presidenti rus sulmoi liderët europianë, duke i akuzuar se u rreshtuan pas politikave të ish-presidentit amerikan Joe Biden. “‘Derrat e vegjël’ të Europës iu bashkuan menjëherë punës së administratës së mëparshme amerikane, me shpresën për të përfituar nga shembja e vendit tonë” tha Putin.

Deklaratat e forta të Kremlinit vijnë në një kohë kur zyrtarë amerikanë kanë pohuar se bisedimet e zhvilluara së fundmi me Ukrainën në Berlin kanë zgjidhur rreth 90% të çështjeve më të vështira.

Megjithatë, mbeten dyshime serioze nëse Putin është i gatshëm të bëjë kompromis lidhur me kërkesat e tij të gjera.

Putin ka këmbëngulur vazhdimisht që Kievi të dorëzojë pjesët e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Ukrainës – një kërkesë që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht.

Moska po ashtu kërkon kufizime të rrepta mbi ushtrinë ukrainase, ndalimin e pranisë së trupave perëndimore në territorin e Ukrainës dhe ndërprerjen e mbështetjes ushtarake nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, presidenti rus mohoi se Rusia po planifikon të sulmojë territorin e NATO-s. Ai pretendoi se është vetë aleanca ajo që po përgatitet për një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë, me një horizont kohor që shkon deri në vitin 2030.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë