Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka dhënë dorëheqjen dhe ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 29 nëntor. Njoftimi u bë gjatë një fjalimi drejtuar kombit.
Sanchez, 54 vjeç, është kryeministër i Spanjës që prej vitit 2018, duke u renditur mes liderëve europianë me qëndrimin më të gjatë në pushtet.
“Kemi bërë gjithçka që mundëm për të mbrojtur interesat e spanjollëve”, tha Sanchez, teksa bëri një bilanc të qeverisjes së tij të fundit.
Gjatë mandatit të tij, sipas Sanchez, “është ulur pabarazia”, ndërsa ekonomia spanjolle “ka qenë ajo që është rritur më shumë në Europë”.
“Sot ka pakënaqësi dhe edhe ne kemi bërë gabime”, pranoi Sanchez.
“Ka shumë gjëra që duhen korrigjuar. Për të bërë më shumë, kemi nevojë për mbështetjen e qytetarëve, por duhet të kemi një shumicë më të gjerë në Parlament. Për këtë arsye, pasi informova kreun e shtetit, kam vendosur të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave për të shpallur zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të zhvillohen më 29 nëntor. Ka ardhur momenti që spanjollët të vendosin se çfarë të ardhmeje duan për vendin.”
Vendimi vjen në valën e protestave në rrugë, të shkaktuara nga rrëzimi në Kongresin spanjoll i dekreteve që lidhen me strehimin.
Në origjinë të protestave, në të cilat janë përfshirë veçanërisht të rinjtë, ishte edhe dëbimi i debatueshëm nga banesa në Madrid i 87-vjeçares Maricarmen Abascal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje