Bota

Protestat masive të gjimnazistëve në Francë, mbi 1,700 të arrestuar, përshkallëzohen përplasjet

Protestat e gjimnazistëve janë përhapur në qytete të ndryshme të Francës, ndërsa mbi 1,700 persona janë ndaluar nga policia. Rreth 90% e të ndaluarve janë të mitur.

Mbi 300 institucione arsimore në të gjithë vendin janë përfshirë në protestat, ku nxënësit kërkojnë më shumë mësues, klasa më pak të mbipopulluara dhe përmirësimin e kushteve në shkolla.

Situata është përshkallëzuar në disa qytete. Në Nantes, hyrja e gjimnazit “Nelson Mandela” u dëmtua nga një zjarr, ndërsa në Marsejë autoritetet rajonale raportuan një incident në gjimnazin “Victor Hugo”, ku drejtues të institucionit dyshohet se janë spërkatur me benzinë. Policia dhe zjarrfikësit ndërhynë në vendngjarje.

Sipas të dhënave të raportuara, 83 policë dhe pjesëtarë të xhandarmërisë janë plagosur, ndërsa që prej nisjes së bllokadave janë raportuar edhe 119 nxënës dhe punonjës shkollash të plagosur.

Për mënyrën e ndërhyrjes së policisë janë hapur edhe tre hetime nga IGPN, struktura që heton veprimet e forcave të rendit.

Qeveria franceze po përballet me presion në rritje, ndërsa kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur një mbledhje ndërministrore për të shqyrtuar situatën dhe përshkallëzimin e protestave.

Përplasjet kanë marrë edhe dimension politik. Jean-Luc Mélenchon ka shprehur mbështetje për protestuesit dhe ka kritikuar mënyrën e reagimit të policisë, ndërsa Marine Le Pen ka kërkuar rikthimin e rendit dhe ka akuzuar kundërshtarët politikë për nxitjen e tensioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë