Nga Gazeta ‘SI’ – Partia Demokratike ka dërguar një projektligj në Kuvend, ku propozon që pasuritë kriminale të konfiskuara, të përdoren në ndihmë të çifteve të reja dhe punonjësve të rendit.
Në draftin që mban emrin e deputetit Klevis Balliu, thuhet që një lëvizje e tillë adreson problematikën strehimit si për çiftet e reja që synojnë të krijojnë familje dhe për punonjësit e policisë që meritojnë mbështetje sociale dhe motivim.
Kjo do të sjellë dhe më shumë transparencë se ku shkojnë asetet e konfiskuara, sipas draftit.
Projektligji sugjeron krijimin e një llogarie të posaçme për programet e strehimit të punonjësve të rendit dhe çifteve të reja dhe vendosja e tyre si përparsi në përdorimin e aseteve.
“Ky projektligj mund të ketë efekte financiar për buxhetin e shtetit, por gjykojmë se efektet financiare mundshme për buxhetin e shtetit janë pozitive ose neutrale. Sipas praktikave të viteve të fundit. Shteti Shqiptar ka realizuar: Mesatarisht 3.5 deri në 5 milion Euro në vit të ardhura nga tjetërsimi i aseteve të konfiskuara. Vlera e pasurisë së sekuestruar në proces arrin 40-60 milion Euro në vit, dhe një pjesë e saj përfundon e konfiskuar. Duke marrë për bazë sikur 20% e këtyre të ardhurave mund të shkojnë në llogarinë e posaçme objekt i kësaj nisme të opozitës, përllogariten rreth 700.000 gjer në 1.000.000 Euro/vit kapacitete financiare që mund të përdoren”, llogarit deputeti i PD-së.
Pak ditë më parë, kolegia e Balliut, Jorida Tabaku dërgoi në Kuvend një tjetër draft, ku propozonte njohjen zyrtarisht si punë të papaguar angazhimin e nënave që kujdesen me kohë të plotë për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, sindromën Doën apo aftësi të tjera të kufizuara që u pamundësojnë pavarësinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




