Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport i fundit i Bankës Botërore, në bashkëpunim me INSTAT-in, tregon se dërgesat e emigrantëve, ndonëse kanë një peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare, nuk japin një efekt të drejtpërdrejtë zhvillimor për shkak të përdorimit të gjerë të kanaleve informale për transferimin e tyre në vend.
Sipas gjetjeve të raportit, rreth 60% e diasporës shqiptare sjell para në Shqipëri përmes familjarëve, miqve ose duke i transportuar vetë gjatë kthimeve në atdhe. Vetëm 20% e emigrantëve zgjedhin shërbimet bankare, ndërsa 10% përdorin operatorë të transferimit të parave. Kanalet formale financiare, si bankat dhe operatorët e transferimit të parave, mbeten të nënshfrytëzuara, veçanërisht nga migrantët e kthyer, ndërkohë që aplikacionet digjitale nuk përdoren pothuajse fare nga asnjë grup.

Raporti sugjeron se kjo prirje mund të lidhet me vështirësi në akses, mungesë të njohurive digjitale ose me kosto të larta transaksioni. Dëshmitë ndërkombëtare tregojnë gjithashtu se preferenca për kanalet informale shpesh lidhet me familjaritetin, kostot e perceptuara më të ulëta apo mungesën e besimit ndaj sistemeve formale financiare. Sipas të dhënave, dërgesat mesatare që vijnë përmes operatorëve të transferimit të parave arrijnë rreth 257 dollarë.
Analiza thekson se remitancat përdoren kryesisht për konsum dhe për mbulimin e nevojave bazë, si shëndetësia dhe arsimi. Rreth 90% e familjeve i përdorin paratë e ardhura nga jashtë për ushqim dhe nevoja të përditshme, duke i bërë remitancat një mekanizëm bazë mirëqenieje. Për shpenzime mjekësore përdoren nga 36% e familjeve, ndërsa për arsim nga 30%.
Rreth një e treta e familjeve raportojnë se kursejnë një pjesë të remitancave të marra, por investimi i tyre në aktivitete prodhuese mbetet minimal. Më pak se 2% e familjeve i përdorin këto fonde për zgjerim biznesi, investime financiare, blerje inputesh bujqësore apo bagëti. Kjo tablo nuk ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me gjetjet e vitit 2005, të cilat tregonin se përfitimet financiare nga migracioni nuk shndërroheshin në investime prodhuese, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.
Një analizë e mëhershme e qendrës kërkimore ALTAX në Shqipëri, thotë se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv në ekonominë e vendit, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale. Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg. Edhe pse qeveritë përmendin dërgesat e emigrantëve në vendlindje si kontribut pozitiv për vendin, studimet tregojnë se mungesa e tyre nuk mund të amortizohet me paratë që ata fusin në ekonominë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




