Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e kompanisë “Bankers Petroleum” për shkak të gjobës 120 milionë euro, të vendosur që prej 2019-s për mospagimin e akcizës dhe ende nuk është shlyer.
Ky vendim, sipas Bankers, është arbitrar që sjell pasoja të pariparueshme për kompaninë dhe menaxhimin e fushave naftëmbajtëse.
Lajmin e ka publikuar vetë kompania duke shpjeguar se për naftën që nxjerr kjo kompani nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
Sipas Bankers,420 punonjës dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore, ofruesve të shërbimeve dhe partnerëve të biznesit, përfshirë edhe rreth 1.300 punonjës të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol sh.a., rrezikojnë të mbeten pa punë.
Më tej në deklaratë, kompania e nxjerrjes së naftës thotë se ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, kundër vendimit dhe funksionarëve përgjegjës.
Gjoba 120 milionë euro mbi Bankers Petroleum u vendos në vitin 2019 nga dogana e Fierit pas një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në vitin 2019, dogana e Fierit mbajti një akt konstatimi, ku theksonte se Bankers Petroleum nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin. Mbi këtë detyrim inspektorët llogaritën dhe një gjobë në masën 90 milionë euro duke e çuar në total faturën 120 milionë euro.
Pjesë nga deklarata:
Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së.
Ky bllokim ka sjellë ndalimin e operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se:
“Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme. Për informacion: nafta bruto lëviz vetëm në gjendje të ngrohtë; nëse ftohet, ngrin dhe nuk lëviz më. Për më tepër, mungesa e kapaciteteve depozituese për një kohë të gjatë do të sjellë domosdoshmërisht ndërprerjen dhe ndaljen e vendburimit, së bashku me të gjitha pasojat e padëshiruara që lidhen me to.”
Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë.
Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh.
Shkaku i bllokimit të veprimtarisë së Kompanisë është taksimi me akcizë i holluesit, një çështje e diskutuar prej vitesh nga shteti shqiptar nëse Kompania duhet apo jo të paguajë akcizë për këtë produkt. Sqarojmë se holluesi është një lëndë e parë që përzihet me naftën e rëndë të Patos-Marinzës për të mundësuar nxjerrjen më të lehtë nga nëntoka dhe transportimin drejt rafinerive. Ky produkt injektohet në puse dhe nxirret i trupëzuar bashkë me naftën bruto nga nëntoka. Nëse kjo naftë do të konsumohej brenda vendit, do të ishte logjike të paguhej akciza për holluesin; por kjo naftë nuk konsumohet në vend, por eksportohet. Ky fakt certifikohet nga certifikime ndërkombëtare për çdo ngarkesë, të monitoruara 24 orë në ditë nga autoritetet shqiptare si Dogana Fier, AKBN, Albpetrol dhe ISHTI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




