Banka Qendrore Europiane (BQE) i ka bërë thirrje kryeministres italiane Giorgia Meloni që të “rishqyrtojë” një propozim për të deklaruar se rezervat e arit të mbajtura nga banka qendrore e vendit i përkasin popullit italian.
Në një opinion të publikuar të mërkurën, BQE paralajmëroi se çdo ligj që mund të ndikojë statusin juridik të rezervave të arit të Italisë do të kërkonte konsultim me Bankën e Italisë, për të siguruar se nuk cenohet pavarësia e bankës qendrore.
Italia ka rezervat e treta më të mëdha të arit në botë, pas SHBA-së dhe Gjermanisë, me rreth 2,452 ton. Vlera e tyre aktuale e tregut, rreth 285 miliardë euro, pasqyron rritjen e fortë të çmimeve globale të arit.
Ari, i cili ruhet në Itali, SHBA, Britani dhe vende të tjera figuron në bilancin e Bankës së Italisë, që e menaxhon atë si pjesë e rezervave zyrtare valutore të vendit.
Megjithatë, ligjvënës të lartë nga partia e Melonit, Vëllezërit e Italisë, po shtyjnë për një dispozitë në ligjin e ardhshëm të buxhetit, e cila do të deklaronte se “rezervat e arit të menaxhuara dhe të mbajtura nga Banka e Italisë i përkasin popullit italian” një lëvizje që kritikët druhen se mund të hapë rrugën për një shitje të mundshme të një pjese të arit të vendit.
“Nuk është e qartë për BQE-në se cili është qëllimi konkret i kësaj dispozite,” thuhet në opinionin e saj. “Autoritetet italiane ftohen të rishqyrtojnë.”
Ministria italiane e financave ia kishte dërguar javën e kaluar BQE-së amendamentin e projektbuxhetit për shqyrtim zyrtar.
Në përgjigjen për Romën, BQE theksoi se traktati i BE-së që rregullon menaxhimin e monedhës së përbashkët dhe të rezervave që e mbështesin atë nuk përdor “konceptin e pronësisë”, por merret “vetëm me dimensionin e mbajtjes dhe menaxhimit ekskluziv të rezervave”.
Traktatet e BE-së u japin bankave qendrore kombëtare, përfshirë Bankën e Italisë, pavarësi të plotë për të menaxhuar rezervat e arit, përfshirë të drejtën për të blerë ose shitur ar pa kufizime, theksoi BQE.
Në këmbim, qeveritë e shteteve anëtare “angazhohen të respektojnë këtë parim” dhe premtojnë se nuk do të “përpiqen të influencojnë anëtarët e organeve vendimmarrëse të bankave qendrore kombëtare”, tha BQE.
Ajo shtoi se çdo transferim i rezervave të arit nga bilanci i Bankës së Italisë në llogaritë publike do të ishte gjithashtu i ndaluar, duke rikujtuar vendimin e saj kur një propozim i ngjashëm u paraqit në vitin 2019.
“Nëse autoritetet italiane e konsiderojnë të nevojshme të qartësojnë pronësinë ligjore të rezervave të arit, Banka e Italisë duhet të konsultohet, në mënyrë që të sigurohet që kërkesat e traktateve dhe veçanërisht pavarësia e Bankës së Italisë të vazhdojnë të respektohen plotësisht,” tha BQE.
Në përgjigje të opinionit të BQE-së të mërkurën, deputetët e Vëllezërve të Italisë, të cilët këmbëngulin se nuk kanë asnjë synim të prekin rezervat e arit të vendit, kritikuan “alarmin” rreth propozimit të tyre për të sanksionuar pronësinë publike të arit.
“Ai riafirmon një parim normal: pra që rezervat e arit janë pronë e popullit italian,” tha deputeti Francesco Filini të mërkurën. “Amendamenti i Vëllezërve të Italisë është i qartë: ai nuk vë në diskutim në asnjë mënyrë autonominë e Bankës së Italisë.”
Partitë e opozitës, përfshirë Partinë Demokratike, thonë se Vëllezërit e Italisë po nxjerrin në pah këtë çështje për të larguar vëmendjen publike nga kriza e kostos së jetesës dhe rritja e dobët ekonomike e vendit.
Qeveria po nxiton të miratojë buxhetin para fundit të vitit, por senatori Lucio Malan, një nga mbështetësit e propozimit, tha se kabineti i Melonit mund të marrë përsipër çështjen dhe të përgatisë një version të ligjit që do të kënaqë BQE-në./FT
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



