Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e “arrestit me burg” për policin e Antiterrorit Igli Haxhiaj, i cili u arrestua pas goditjes së klaneve të mafies shqiptare të përfshirë në trafikun e drogës nga Amerika Latine dhe Shqipëria drejt Italisë.
Gjatë seancës së konfirmimit të masës, Haxhiaj mohoi akuzat duke thënë se nuk ka komunikuar kurrë në aplikacionin “SkyEcc” dhe se emri i tij “është keqpërdorur”. Ai akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Hetimet e SPAK zbuluan se Haxhiaj, gjatë kohës që shërbente në Forcat Operacionale, kishte nxjerrë sekrete hetimore dhe ishte korruptuar nga anëtarë të një grupi kriminal, duke u vënë në shërbim të tyre.
Ndërsa të arrestuarit e tjerë në Shqipëri, Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla do të dalin para gjykatave të rretheve, pasi janë prangosur me qëllim ekstradimi për shkak se masat ndaj tyre janë dhënë nga Gjykata e Breshias në Itali.
SPAK deklaroi se grupi, i përbërë kryesisht nga shqiptarë dhe që drejtohej nga vendi ynë, kishte ngritur 6 baza në vendin fqinj ku ndahej dhe përpunohej lënda narkotike.
Paratë e përfituara nga shitja e drogës transferoheshin në Shqipëri nga korrierë, si dhe përmes shoferëve të autobusëve të linjave mes dy vendeve.
SPAK njoftoi se 46 shqiptarë po hetohen për përfshirje në trafikun e drogës që transportohej nga Amerika Latine për në vendet e Evropës. Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë lëshuar 24 masa sigurie për klanet shqiptare që dyshohet se kanë transportuar plot 1.3 tonë kokainë drejt vendeve të Evropës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



