Nga Gazeta Si- Bashkimi i prodhuesve shqiptarë ka kërkuar që projektligji “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” të rikthehet për konsultime, duke argumentuar se ato nuk kanë qenë pjesë e tryezave të diskutimeve.
“Bashkimi i prodhuesve shqiptarë ka shprehur interes për projektligjin dhe përgjegjësitë e prodhuesve prej kohësh, që prej vitit 2022 kur kanë filluar përpjekjet e para nga ana e qeverisë për ta bërë këtë projektligj”, tha në Komisionin për zhvillimin e qëndrueshëm Vullnet Haka, përfaqësues i prodhuesve shqiptarë.
Ai tha se gjatë vitit 2022-2023 së bashku me ministrinë e mjedisit dhe donatorët të cilët kishin mundësuar dy projekte për këtë projektligj, të dy këto projektligje u vendosën të mos kalojnë në procedurën e miratimit pasi u konkludua që projektligji nuk garantonte zbatimin e tij në praktikë.
“Gjatë kësaj periudhe, në takime zyrtare që ne kemi pasur me Ministrinë e Turizmit na është premtuar se këtë projektligj, meqenëse është specifik dhe në vendet e BE nuk daton më shumë se prej 15-20 vitesh, ta hartonim së bashku, ekspertët e ministrisë dhe ekspertët që do angazhonim ne”, tha Haka, duke shtuar se ndërkohë që kishin bashkëpunim të frytshëm me ministrinë, në 2024 mësuan nga mediat se një draft i ri kishte dalë për këtë projektligj.
“Është draft i pakonsultuar me ne dhe na mbetet vetëm që të kërkonim seancë dëgjimore”, tha ai.
Përfaqësuesi i bashkimit të prodhuesve tha se ky draft është i paplotësuar për të përmbushur qëllimet për të cilat po bëhet.
“Kërkesa në bllok është që ky draft ti kthehet ministrisë së mjedisit dhe të bëhet konsultimi me grupet e interesit”.
Sipas tij, ka 3 elementë që i mungojnë këtij ligji:
“Kërkojmë të ngrihet një bord rregullator të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesve. Ky bord do të jetë entiteti që do të mundësojë rakordimin e objektivave vjetore. Bordi do koordinojë bashkëpunimin midis qeverisë dhe prodhuesve. Të përcaktohet qartë se pushteti lokal është i detyruar të bashkëpunojë me bordin për të kryer investimet e tyre për të ndërtuar rrjetin e transportimit dhe trajtimit final të mbetjeve. Nëse kjo nuk realizohet atëherë do jetë një dështim i garantuar. Propozimi i tretë është që të ketë definicione të përgjithshme që ta bëjnë më fleksibël sipas situatave që do konstatohen në terren”, sqaroi Haka.
Ndërkohë, përfaqësues të ministrisë së mjedisit thanë se janë dakordësuar që të ketë një bashkëpunim midis Agjensisë kombëtare të mjedisit dhe subjekteve prodhuese për të përcaktuar objektivat dhe të ngrihet një bord. Gjithashtu, nga ministri i mjedisit Sofjan Jaupaj tha se është e rëndësishme që skema e përgjegjësisë së zgjeruar së prodhuesit të prezantohet në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



