Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave Petrit Malaj ka prezantuar para deputetëve aktin normativ për rishikimin e buxhetit, që do të përfshijë dhe bonusin e pensionistëve.
Në komisionin e Ekonomisë, Malaj ka treguar se 750 mijë pensionistë do të përfitojnë bonus, të njëjtën me vitin e shkuar.
“Kush ka pension deri ne 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, dhe kush ka bonus mbi 20 mijë lekë do të marrin bonus fundviti 10 mijë lekë. Deri në fund të mandatit pensioni minimal do të jetë 200 euro, dhe ai mesatar 400 euro. Jemi duke punuar me ministrinë e Ekonomisë për rritjen e pensioneve, dhe besoj se përgjigjet do ti merrni në buxhetin e vitit 2026”, tha Malaj.
Deputeti Erion Braçe pyeti nëse edhe qytetarët me status invalidi do të përfitojnë status në fundvit.
“Pyetja lidhet me një kategori që, me thënë të drejtën, nuk ka përfituar nga bonusi i pranverës i këtij viti e që natyrisht ka krijuar një shqetësim se janë thuajse të njëjtit njerëz, për shkak se një pjesë paguhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe një pjesë paguan nga shërbimi social shtetëror. Pra bëhet fjalë për invalidë, të lindur të tillë apo të bërë të tillë gjatë periudhës së jetës së tyre që, janë një numër i konsiderueshëm, 50.000, 60.000 njerëz, të cilët nuk kanë përfituar bonus pranvere. Pyetja është që drejtpërdrejt, çfarë do ndodhi me këta, me këtë bonusin që do paguajmë ne tani në dimër?”.
Ministria tha se futja e tyre në skemë do të varet nga mundësitë financiare.
“Për të gjithë kategoritë e tjera, natyrisht, kjo kërkon një lloj vendimmarrje, duhet që kërkesat të na vijnë nga institucionet relevante, dhe pastaj në varësi dhe të mundësive financiare që kemi, patjetër që do të konsiderohen për të marrë një bonus. Do të shohim nëse ecuria ekonomike do të jetë sipas parashikimeve që ne kemi deri në fund të muajit dhjetor, atëherë, bazuar edhe në kursimet që do të kenë me një akt normativ do të vlerësojmë nëse dhe kjo kategori do të përfitojë një bonus në fund të këtij viti.”
Në komision ministri dha sqarime edhe për fondin prej 30 milionë euro që i jepet Albcontrol, agjenci e vetëfinancuar që po mbahet tërësisht nga paratë e buxhetit.
“Çështja e albcontrol po trajtohet në arbitrazh, ndërsa Albcontrol të ardhurat e saj i merr përmes një llogarie që është jashtë territorit të Shqipërisë, nga Eurocontrol, duke qenë se kjo llogari është përkohësisht e bllokuar për shkak të proceseve gjyqësore që po bëhen, qeveria edhe për shkak të rëndësisë kombëtare të Albcontrol, e mbështet në aspektin buxhetor dhe kur të ketë një zgjidhje për atë çështje do na kthehen paratë që i kemi dhënë kësaj shoqërie”, tha ministri Malaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



