Politike

Rusmaili kritika Kushtetueses: Shqyrtimi i dekretit të Presidentit nuk është kompetencë e juaja

Nga Gazeta ‘Si’-Me kritika të forta iu adresua këshilltari ligjor i Presidencës, Ilir Rusmaili Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit rrëzoi kërkesën e tyre që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e gjykimit në çështjen e Erion Veliajt.

Duke mbrojtur dekretin e Presidentit dhe duke theksuar se ai është kushtetues, Rusmaili tha se shqyrtimi i një akti administrativ nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese.

Rusmaili tha se Presidenti ka bërë vetëm detyrën dhe se mosdekretimi i zgjedhjeve do ishte ‘atentat’ Kushtetues.

Ai nënvizoi se, edhe pse Gjykata ka lejuar vetes shqyrtimin e një akti administrativ, ajo duhet të ruajë mekanizmat mbrojtës për të mos rrëshqitur përtej kompetencave të përcaktuara nga Kushtetuta.

“Dekreti i presidentit ka qenë Kushtetues dhe ngelet i tillë edhe sot, për shkak se Kushtetuta dhe jurisprudenca e GJK që janë ende në fuqi sot e kësaj ditë e bënin dekretin kushtetues.

Ju e shihni veten kompetencë për të vendosur lidhur me dekretin për shkak se shihni të lidhur me cështjen në themel. Ju nuk thatë sot që dekreti nuk është akti administrativ ndryshe nga qëndrimet e mëparshme të GJK. Ju e shihni të lidhur, ne nuk kontestojmë asgjë, por shohim disa probleme të vogla.

Është normale që për shumicën e çështjeve që vijnë në Gjykatën Kushtetuese, të gjendet një lidhje me aktet zbatuese, aktet individuale administrative. Nëse lidhja tërheq kompetencën tuaj për gjykimin e këtyre akteve mund të ndodheni para situatës, ku ju mund të jepni ose të hiqni leje legalizime, të jepni ose të hiqni leje ndërtimi, të jepni ose të hiqni autorizime strehim për të pastrehët. Kjo është e rrezikshme për GJK sepse e nxjerr atë jashtë funksionit kushtetues.

Por ju që i lejuat vetes të drejtën për të shqyrtuar një akt administrativ keni gjetur edhe mekanizmat mbrojtës nga kjo rrëshqitje. Fakt është që ju në fund të ditës do të jenë të detyruar të merrni një vendim në raport me dekretin. Do të përballemi me faktin që ju po merrni në shqyrtim dhe po vendosni fatin e nja akti administrativ, kur Kushtetuta nuk ua lejon këtë”, tha ai.

Seanca e sotme nisi me një kërkesë paraprake nga Presidenca që kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos jetë pjesë e këtij gjykimi, pasi sipas tyre nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Por, kërkesa u rrëzua me vendim unanim nga Kushtetuesja. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë