Nga Gazeta ‘Si’- “Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta.“
Kështu e nisi fjalën e tij Erion Veliaj në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese ku tha se e rrëmbyen nga zyra pa kryer asnjë shkelje dhe se po mbahet në paraburgim me një regjim burgosjeje më të rëndë sesa vrasjeje seriale sipas tij.
Veliaj u shpreh se po flet para Gjykatës Kushtetuese si kryetar i bashkisë së Tiranës, ndërsa ngriti pyetjen se çfarë ka bërë që të jetë i mbyllur në qeli.
“Jam rrëmbyer nga zyra ku më zgjodhën qytetarët dhe më mbyllën në qeli, kam sot më shumë policë se ç’kam avokatë. Kam përjetuar një periudhë denigrimi dhe përpjekje për të heshtur zërin e një kryebashkiaku të zgjedhur tre herë.
“Nuk jam këtu për mbrojtje, por për respekt dhe për t’ju kërkuar, a mund ta mbrojmë demokracinë me veprim, jo me letër. Ky mandat është një besëlidhje publike, një kontratë që ma kanë dhënë qytetarët e Tiranës dhe unë do e mbroj deri në fund!”
“Cilën shkelje të rëndë të Kushtetutës kam kryer unë në ushtrimin e detyrës”, pyeti ai trupën gjykuese.
Këtë seancë e cilësoi historike dhe tha se mosprezenca e tij në krye të Bashkisë së Tiranës nuk ka qenë zgjedhje, por izolim i imponuar nga shteti.
Për faktin se nuk ishte prezent në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, tha se ishte fyerja më e rëndë që i është bërë përgjatë jetës së tij.
“Nuk kishte sesi të më fyenin më rëndë se kaq. Ka qenë fyerja më e rëndë publike për mua, erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo dhe që nuk denjuan, as të më ftonin, as të më njohin dhe as të më dëgjonin. Zoti i faltë se nuk e dinë se çfarë kanë bërë me atë vendim.
Erion Veliaj ka munguar në detyrë, është një cinizëm më të vërtetën, dhe me ligjin. E thënë nga at që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit tim nga qelia pa asnjë akuzë. Ngjan një mesazh që ne ketë vend sundon dëshira dhe vullneti politik dhe jo ligji”, tha Veliaj.
Ai tha se se vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe shtoi se në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune, por demokracia e vendit.
“Ky shtet më kërkon llogari se pse nuk vij kur më ka privuar lirinë”, theksoi Veliaj, duke shtuar se nuk mund të pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë.
“Kjo nuk është demokraci. Kjo është përmbysje e demokracisë. Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari. Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese.
Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri. Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



