Nga Gazeta Si- Spitalet psikiatrike në vend përballen me mungesa serioze në shërbime dhe në kapacitetet e akomodimeve.
Këtë ka deklaruar kreu i KLSH-së Arben Shehu, teksa prezantoi raportin vjetor 2024 në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare dhe Komisionit të Ekonomisë.
Shehu tha se përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor mbetet e pamjaftueshme. “Auditimi evidentoi mungesën e një qasjeje, ndërsa spitalet psikiatrike përballen me mungesa serioze në kapacitetet e akomodimeve dhe shërbimeve”, tha Shehu.
Gjithashtu, Shehu thekson se nga auditimet e kryera me fokus në Shëndetësi kanë zbuluar një sërë problemesh, sa i takon mungesës së inxhinierëve bio- mjekësorë.
“Në sektorin e shëndetësisë, janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, veçanërisht për shkak të mungesës se inxhinierëve bio- mjekësorë, në spitalet si QSUNT dhe Spitali i Traumës, duke sjellë varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta dhe menaxhim të pasigurt të burimeve. Po ashtu shpërndarja e pajisjeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë”, tha ai.
Shkelje janë konstatuar edhe në fushën e koncesioneve, pasi ka pasur mungesë monitorimi të plotë të tyre, si dhe është identifikuar vijim me pagesat në koncesionet e shëndetësisë edhe pse nuk është përmbushur niveli i shërbimit të kontraktuar.
“Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në”, tha ai.
Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe tha se koncesionet e Check Up, Hemodializës e Sterilizimit janë në limite të përmbushjes së afatit që kanë.
“Në kontrata është thënë që sistemet që krijohen i kalojnë sistemit publik, por ju evidentoni se koncesioni hemodializës është me probleme të mëdha sa i takon pagesave që kryhen për të”, tha Braçe, duke shtuar se do donte që të kishim një auditim të plotë të 10-viteve të këtyre kontratave, nga dita e parë deri në fund të këtyre kontratave.
Nga ana tjetër, kreu i KLSH, tha se qeveria duhet të bëjë një analizë për rikuperimin e dëmit.
“Për kontratat në shëndetësi kemi kryer veprimet, ua kemi vënë në dispozicion të Kuvendit. Ne jemi shprehur për problematikat, dhe shteti duhet të bëjë një analizë të detajuar për të rikuperuar dëmin brenda afateve të detyrueshme”, tha Shehu.
Shehu tha se janë bërë 159 auditime në 1 vit, janë dhënë 4378 rekomandime, ku ishin 993 masa disiplinore, 66 masa administrative dhe 697 masa për efekte financiare.
Gjatë vitit 2024, KLSH ka dërguar 13 kallëzime penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



