Nga Gazeta Si- Duke nisur nga janari i 2026, në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit kundër virusit HPV do të përfshihen edhe djemtë e moshës 13 vjeç.
Vaksina HPV është një prej tyre që mbron nga disa lloje të papilomavirusit njerëzor, një virus që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës si dhe kancere të tjerë.
Mjekja Rovena Daja, përgjegjëse e fushatës së vaksinimit në ISHP thotë se ky vendim është pas gjithë problemeve që ky virus shkakton tek meshkujt.
“Mënyra më e sigurt për t’u ruajtur ndaj HPV është që ne ta aplikojmë këtë vaksinë përpara se të biem në kontakt me të, në moshën 13 vjeç. Vaksina ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit”, tha Daja.
Në total vajzat që e kanë aplikuar këtë vaksinë nga fillimi në 2020 deri më sot janë mbi 45 mijë, gjatë 2025 janë mbi 10 mijë.
Vaksina kundër HPV është përfshirë në programin kombëtar të imunizimit për të gjitha vajzat që mbushin moshën 13 vjeç. Vaksina ofrohet në një dozë të vetme.
Daja tha se njihen mbi 150 lloje të virusit të HPV-së, ku shumica prej tyre nuk janë të rrezikshëm.
“Kemi viruset 6 dhe 12 që janë shkaktarët e lythave gjenitalë, si te meshkujt dhe te femrat. Viruset 16 dhe 18 janë ato që në 70% të rasteve japin kancer të qafës së mitrës te femrat. Por, HPV është më i rrezikshëm edhe te meshkujt, pasi ata janë bartës, transmetues, në pjesën më të madhe të rasteve edhe shkaktarë të kancerit gjenital te meshkujt”, tha Daja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



