Politike

Kurti akuza Ramës për protestën për UÇK: Erdhe me helikopter të bindje palët të votonin pro ‘Speciales’

Nga Gazeta ‘Si’- Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me protestën që pritet të mbahet ditën e nesërme në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, Vetëvendosja shkruan se përpara se të protestohet, duhet të kërkohet falje për qendrimet e mëparshme, duke iu referuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vetë Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet në postim.

Më tej Vetëvendosja shkruan se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme dhe pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë.

“UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës”, thuhet në postim.

LVV-ja shkruan se është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta sipas saj nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.

“Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Europian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.

Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin”, shkruhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë