Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Kjo nismë vjen pas disa muajsh akuzash ndaj kreut të shtetit për shkelje të Kushtetutës dhe ndërhyrje në proceset e pushtetit vendor dhe gjyqësorit.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se Begaj nuk mund të jetë më Kreu i Shtetit shqiptar, pasi sipas tij ka kryer 7 shkelje të rënda.
“Presidenti ka konsumuar shtatë shkelje Kushtetuese të rënda. Konkretisht, shkelje të rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës nga ana e Presidentit janë dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ndërhyrja brutale në kompetencat e pushtetit vendor dhe zhveshja e gjykatës Kushtetuese në këto 35 vite demokraci”, tha Bardhi.
Ai shtoi se veprimet e Presidentit kanë krijuar sipas tij një ngërç kushtetues, duke shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit dhe duke shkelur ekuilibrin midis pushteteve:
- “Futja në ngërç e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës;
- Marrja e kompetencave të gjyqësorit dhe përdorimi i juridiksionit në mënyrë të drejtpërdrejtë;
- Shfaqja e anësisë dhe leja e ushtrimit të pushteteve jashtë kompetencave kushtetuese;
- Ndërhyrja në autonominë kushtetuese dhe uzurpimi i kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”
Bardhi gjithashtu përmendi edhe dekretimin e ministres viruale Diella të cilën e konsideron si një veprim antikushtetues.
Bardhi theksoi se sipas PD-së, këto veprime përbëjnë shkelje të përsëritura dhe të rënda të Kushtetutës, dhe se Kuvendi duhet të marrë masa për të garantuar respektimin e ligjit dhe funksionimin normal të institucioneve.
Një tjetër akuzë e lëshuar nga PD përfshin dhe të birin e presidentit Begaj. Gazment Bardhi tha se djali i presidentit 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet jashtë shtetit me studime dhe gjithashtu i punësuar atje, rezulton dhe në Shqipëri i punësuar faktikisht në një kompani private sigurimesh nga ku merr një rrogë mujore të barabartë me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë.
“I jep tenderët dhe kompania punëson një 23 vjeçar që s’ka lidhje me fushën e sigurimeve. Bëhet fjalë për një vlerë mijëra euro që djali i presidenti përfiton çdo vit nga kjo kompani që nga ana tjetër merr mijëra euro çdo vit nga institucioni i Presidentit të Republikës.”
Kjo është hera e parë në mandatin e tij që presidenti Bajram Begaj përballet me një kërkesë të tillë për shkarkim, ndërsa pritet që zhvillimet e ditëve në vijim të përcaktojnë nëse nisma do të gjejë mbështetje të mjaftueshme për t’u futur në procedurë parlamentare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



