Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur sot se rekomandimet e Këshillit të Evropës për paraburgimin po ushqejnë drejtpërdrejt punën e nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, me fokus forcimin e garancive për lirinë e personit dhe funksionimin real të alternativave ndaj arrestit në burg.
Duke folur në tryezën kushtuar masave të sigurimit, vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, Gogu theksoi se puna me Këshillin e Evropës po kalon nga rekomandimet te procesi i reformës.
“Puna jonë me Këshillin e Evropës nuk mbaron me dokumentin që diskutojmë sot. Rekomandimet e tij po ushqejnë drejtpërdrejt punën që kemi nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ministri.
Sipas Gogut, në këtë proces po shqyrtohen çështje që lidhen me kriteret për paraburgimin, arsyetimin e individualizuar të masës, shqyrtimin real të masave më pak kufizuese, aksesin në materialet mbi të cilat mbështetet kërkesa për masë sigurimi dhe forcimin e alternativave.
Krahas ndryshimeve ligjore, Ministria e Drejtësisë po punon për rikthimin në funksion të mbikëqyrjes elektronike, si një nga instrumentet që u jep gjykatave mundësi reale për zbatimin e masave alternative.
Gogu tha se është siguruar financimi i nevojshëm për vitin 2027 dhe se objektivi është që sistemi i mbikëqyrjes elektronike të jetë operacional në mars 2027.
“Një alternativë që shteti nuk e ofron realisht, nuk është alternativë. Kjo është përgjegjësi e ekzekutivit, jo e gjykatës”, deklaroi ministri.
Sistemi parashikohet të mbështetet me personel të trajnuar, protokolle të qarta reagimi dhe raportimi ndaj gjykatës dhe prokurorisë, si dhe me forcimin e kapaciteteve të Shërbimit të Provës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje