Nga Gazeta ‘SI’ – Furnizuesi i Shërbimit Universal, FSHU, ka propozuar rritje të çmimit për energjinë elektrike me qëllim karikimin e makinave, për të mbuluar kostot e shtuara për këtë shërbim.
Sipas kërkesës, FSHU i propozon Entit Rregullator të Energjisë, që çmimi i shitjes së energjisë për karikim të rritet nga 14 në 22 lekë për kwh, nisur nga 1 nëntori i këtij viti. Çmimi i ri do të prekë abonentët familjarë që instalojnë kapacitete deri në 11 kw për karikimin e mjeteve dhe ato me kapacitet mbi 11 kw.
Propozimi vjen si pasojë e një kërkese në rritje për këtë shërbim thotë FSHU, lidhur me rritjen e përdorimit të mjeteve elektrike.
“Bazuar në aplikimet e kryera në OSSH nga abonentë familjarë dhe jo familjarë për shtesë fuqie apo pikë lidhje të re deri në një fuqi 11 kw për qëllime karikimi, propozohet që çmimi prej 22 Lekë/kwh të aplikohet edhe për të gjithë abonentët familjarë dhe jo familjarë me kapacitet të instaluar mbi 11 kw të cilët mund të shfrytëzojnë kapacitetin e lejuar për karikim mjetesh elektrike. Për abonentët me fuqi të instaluar deri në 11 kw do të aplikohen çmimet respektive në fuqi në bazë konsumi” argumenton FSHU duke theksuar se llojet e karikuesve në pikat përkatëse janë lloji DC, fast charge me fuqi dhe konsum elektrik shumë herë më të madhe.
FSHU tregon se për 8 muajt e parë të 2025-s, më shumë se 13.6 milion kilovat energji u konsumuan nga makinat elektrike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



