Gazeta Si – Nis këtë të shtunë, 11 tetor, faza e dytë e Konkursit Ndërkombëtar të Koncept-Ideve për masterplanin “Parku i Besimit”, një projekt ambicioz i Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) që planifikohet të ndërtohet në Petrelë.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në konferencë, theksoi se ka pritur prej kohësh nisjen e kësaj nisme, të cilën e cilësoi si një projekt për njerëz krijues, të talentuar dhe për këdo që viziton Tiranën me dëshirën për të ndarë këtë hapësirë.
Ai u shpreh se Parku i Besimit nuk është thjesht një ndryshim fizik i territorit, por një transformim i thellë dhe kuptimplotë.
Sipas tij, Parku i Besimit nuk është një simbol i fesë, por është një faltore adhurimi ndaj jetës dhe natyrës. Shefi i qeverisë tha se park është shumë më tepër se ndryshimi i një hapësire, por është një transformim përmes së cilit duan të mbjellin jo vetëm pemë, por edhe shpresë e vazhdimësi.
“Së shpejti do kemi mundësi ta çelim këtë hapësirë, për një qëllim krejt të ndryshëm, për akt për njerëz krijues, të talentuar e për këdo që na viziton e kërkon ta ndajë këtë hapësirë. Por, më shumë se kaq, po rrekemi sot nisim diçka më të butë, po nisim të mendojmë në terma konkrete, përballë dhjetëra projekteve për të ardhmen e një zonë të tërë që do bëhet parku i besimit. Ky është shumë më tepër se ndryshimi i një hapësirë, është një transformim kuptimplotë dhe s’ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por duam të mbjellim pemë, shpresë e vazhdimësi. Parku i Besimit nuk është simbol i fesë, është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve e të ullirit dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, që zhvillimi nuk ishte thjesht në sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë”, tha Rama.
Parku i Besimit është një ide që mbledh në Tiranë 12 finalistë nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda, Italia, për të prezantuar propozimet e tyre për parkun e ri unikal të kryeqytetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



