Politike

Lamallari sulmon opozitën: Po përdorni vrasjen e gjyqtarit për politikë!

Nga Gazeta ‘Si’- Në seancën e tensionuar në Kuvend, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, foli për herë të parë dhe reagoi ashpër ndaj qëndrimeve të opozitës lidhur me vrasjen tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke i akuzuar ata se po shfrytëzojnë këtë ngjarje për përfitime politike.

“Të bësh politikë me vrasjen dhe një rast tragjik është e rëndë”, deklaroi Lamallari, duke i drejtuar gishtin opozitës për qëndrimet e tyre ndaj sistemit të drejtësisë.

Ai akuzoi kundërshtarët politikë për një gjuhë denigruese ndaj institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se “keni përgjegjësi për gjuhën denigruese për gjyqtarët dhe prokurorët, duke sharë Altin Dumanin etj.”

Sipas tij, ky lloj diskursi ka nxitur urrejtje dhe ka përçuar një klimë të rrezikshme kundër sistemit të drejtësisë.

“Është kjo gjuhë e urrejtjes, që ka ndërsyer militantët tuaj”, shtoi ministri, duke theksuar se kjo sjellje politike nuk është e pranueshme dhe ka pasoja reale për sigurinë e punonjësve të drejtësisë.

Lamallari nuk i kurseu as kritikat për qëndrimet e opozitës ndaj ndërkombëtarëve, duke thënë se “kanë anatemuar partnerët strategjikë, vetëm se mbështetën reformën në drejtësi”.

“Ju ndollët gjuhën e urrejtjes ndaj drejtësisë. Nuk keni turp, prandaj ju kanë lënë aty ku jeni”, përfundoi ai, duke i bërë thirrje opozitës që të mos e politizojë një tragjedi dhe të mos ngjallë urrejtje ndaj gjyqtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë