Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim për mbrojtjen civile, qeveria njoftoi ndryshimet që parashikon në këtë drejtim, për shërbime më eficiente.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu tha se sipas planit të qeverisë, strukturat për emergjencat do të vendosen në një komandë të vetme.
“E nevojshme dhe e domodoshme që këto struktura të vendosen në një komandë të vetme kur vjen puna te emergjencat. Kjo komandë të jetë në gjendje që të koordinojë si trup i vetëm të gjithë aksionet dhe të perfeksionojë bashkëpunimin ndërinstitucional, të maksimalizojë efikasitetin e përdorimit të fondeve dhe të rrisë në mënyrë efektivëe mbulimin në të gjithë terrritorin. “, tha ajo.
Ajo njoftoi edhe krijimin e Qendrës kombëtare të Trajnimit të Zjarrfikësve, ku do të qartësohen dhe kriteret për rekrutim, si fizike, psikologjike dhe profesionale.
“Do të standartizojmë procedurën e pranimit në këtë shërbim, duke nisur me procedurat e rekrutimit. Do të aplikojmë modelet e suksesshme, duke vendosur edhe punonjësit në këtë shërbim në një selektim me kritere të qarta, me analizë të qartë të formimit periodik të vlerësimeve bazë të rekrutimit dhe aftësive të tyre fizike, psikologjike dhe profesionale. Për trajtim të vazhdueshëm do të krijohet qendra kombëtare e trajnimit të zjarrfikësve. Të gjithë zjarrfikësit do të marrin trajnim të vazhdueshëm. I gjithë procesi do të shoqërohet me skema motivuese për përfitime financiare dhe ngritje në karrierë. E fundit janë edhe fushatat e vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe edukimit që do të nisen që nga shkollat dhe do shtrihen në çdo strukturë vendore.”, tha Koçiu.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se strategjia e re e mbrojtjes civile do të fokusohet në tre shtylla kryesore.
“Në kuadër të programit Shqipëria 2030, kemi një kapitull të dedikuar për mbrojtjen civile. Programi parashikon 3 shtylla kryesore. E para, kapitali njerëzor dhe mënyra se si fuqizojmë zinxhirin reagues që nga elementi i bashkisë dhe krijimi i qendrave rajonale të emergjencave. Inovacioni që duhet të kthehet në detyrë në çdo qelizë të menaxhimit të krizave nga pikëpamja e kamerave termike. Një tjetër mësim ishte menaxhimi i emergjencave në Llogara dhe ishte teknologjia që na dha mundësinë të përballonim situata të vështirë. Të gjitha nuk mund të ndodhin edhe pa vënie në eficencë të të gjitha instrumenteve financiare që i dedikohen bashkive”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



