Menaxhim

Start Up-et, Rama: Krijojmë Këshillin Kombëtar të Inovacionit. Duhet të eleminojmë burokracitë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën Start Up Albania, me fokus zhvillimin dhe integrimin e bizneseve teknologjike në ekonomi si edhe mbështetjen për të rinjtë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se shumë shpejt qeveria do të krijojë dhe Këshillin Kombëtar të Inovacionit, në funksion të transparencës.

“Është një pjesë e vogël e mozaikut të plotë që po sjellim sëbashku dhe një nga gjërat që ne do të materializojmë shumë shpejt është ajo që kemi pritur prej kohësh, në praktikë do të jetë aktori kryesor për të gjitha palët e interesit, për të ndarë ide, shqetësime dhe për të propozuar zgjidhje”, deklaroi Rama.

 Rama tha se platforma e Start Up do të lidhet me e-Albania nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.

“Diçka tjetër, që ne kemi shumë dëshirë dhe përpiqemi të shtojmë përpjekjet tona me mbështetjen e ministres së Shtetit për IA që do të ndihmojë për nxitjen dhe shpërndarjen e të gjithë hapësirës dhe rrjeti të qeverisë dhe të gjithë fuqisë së AI , këtë aksilerator e shohim si një sipërmarrje të përbashkët, urë lidhës mes inxhinierëve të IT dhe sektorit privat e publik dhe dëshirojmë që t’i japim të gjithëve mundësinë të punojnë më të dhënat anonime dhe të dalin me zgjidhje për atë sektor dhe të mbështetin transformimin e çdo ministrie e agjensive. Problemi më i madh i këtij komuniteti, është burokracia, ndaj ne dëshirojmë të hedhim një hap shumë të rëndësishme përpara dhe të eleminojmë të gjithë pengesat burokratike për të gjithë sipërmarrjet duke, për të gjitha rregullat që ata duhet të zbatojnë”, tha Rama.

Gjatë komunikimit, kreu i qeverisë u shpreh se ndoshta një ditë shqiptarët do të mund edhe të martohen online.

Ministrja e re e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pjesë e prezantimit, tha se qeveria po bashkëpunon me Start Up-et vendase për të çuar përpara sektorin e inovacionit të Shqipërisë.

Ndër të tjera, Ibrahimaj tha se në vitet e fundit numri i startup-eve në vend është dyfishuar dhe se Shqipëria kryeson për gratë e përfshira në këtë fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë