Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se “ofensiva” kundër ndërtimeve pa leje të zgjasë ndoshta edhe gjatë të gjithë mandatit 4-vjeçar, teksa prezantonte paketën e masave në mbrojtje të territorit.
Ai tha se paketa është punuar nga ekspertë të fushës por nuk është “perfekte”.
“Dua t’ju bëj me dije se për këtë paketë të re ligjore që do prezantojmë, është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve.
Dua ti falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar pa ndalim gjatë verës. As kjo paketë nuk është e përkryer, por një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do zgjasë mbase gjatë gjithë mandatit të ri për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje deri te mbrojta e autorësisë së projekteve të cilat gjatë kësaj kohe janë deformuar dhe përdhunuar nga ndërhyrja e ndërtuesve”-u shpreh Rama.
Një tjetër pikë që parashikon paketa e re ligjore është mashtrimi që iu bëhet blerësve.
“Sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që bëjnë njësitë përkatëse të qeverisjes vendore filtrat që vendosen për të garantuar që procesi i vendimmarrjes, projekti plotëson standardet dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme, mashtrimi që ju bëhet blerësve duke ju shitur objektin që ka marrë leje me pamjet e lejes së marrë, ndërkohë që në fund fare ai objekt është si një kushëri shumë i largët i cili sapo ka dalë nga berberi i qethur dhe i rruar totalisht dhe me trupin gjithë vraga nga shkelmat dhe grushtet. Parafytyrojeni. Ja kështu janë edhe projektet që deformohen”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



