Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim dedikuar sektorit të turizmit, kryeministri Edi Rama tha se cilësia dhe jo më numri i turistëve është tashmë qëllimi i qeverisë, për një Shqipëri Turistike.
“Rritja e madhe nga Franca, Gjermania, Kina, Australia, apo edhe rritja nga Turqia ose Izraeli. Destinacioni po sjell rritje. Kjo e thënë thjeshtë dhe vetëm për të dhënë informacion të saktë, jo se ne tani kemi objekt rritjen në numër. Nuk është më prioriteti i parë, për ne prioritet është rritja e cilësisë dhe rritja e numrit të turistëve që konsumojnë më shumë në vendin tonë”, tha kryeministri.
Ai njoftoi se shumë shpejt qeveria do ketë gati planin për bregdetin dhe se Ksamili e Dhërmiu do jenë nën kontrollin e bashkive teksa kritikoi bizneset vendase të turizmit për raportin e zhdrejtë çmime/shërbim.
“Është ndër më të bukurit në botë, dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë për t’u pushtuar dhe për t’u sjellë me turistët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë. Ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye që Ksamili të jetë një plazh privat, me çmime marramendëse dhe shërbime mizerabël”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama tha se duhet vijuar me ridimensionimin e plazheve publike, duke marrë shembull Lezhën si qyteti me plazhet më të pastra në vend
“Plazhe si ai i Durrësit, i Shëngjinit, apo i Velipojës që janë të mëdha nuk mund të kthehen në plazhe 100% të administruara nga bashkia por duhet të vazhdojnë në shembullin më të mirë dhe praktikat më të mira e të rrisin kërkesën për shërbim cilësor që i përgjigjet asaj që qytetari paguan. Nëse ato plazhe kanë qenë më të frekuentuar pa qenë e lidhur me përputhjen e cilësisë së shërbimit me kërkesën sepse nuk mund të vendosësh çmime marramendëse për një shezllong thjesht se je në Ksamil kur vetë s’ke asnjë kontribut as për ngjyrën e detit, cilësinë e rërëes apo bukurinë që të rrethon. Nëse vendos një çmim duhet të jesh në gjendje të ofrosh cilësinë që përputhet me atë çmim, jo shezllonge ku rrezikon të penetrojë gozhda e ndryshkur. Për këtë është e mundur të shkojnë në një hap tjetër pasi eksperienca e këtij vitit me ridimensiconin e plazheve publike tregoi se është e mundshme. Eksperienca e bashkisë së Lezhës, më vjen inat që e përmend vazhdimisht, por ka pasur përsëri një rol kyç në garantimin e pastërtisë është eksperiencë që tregon se është e mundshme. E mbështetjes të të gjithë bashkive nga ministria e qeveria duke dyfishuar forcat e pastrimit përmes operacionit plazhe të pastra ka treguar se është e mundshme. Ta rishikojmë dhe përmirësojmë bazuar në mësimet e këtij viti në funksion të qytetarëve dhe jo uzurpatorëve dhe shfrytëzesve të hapësirave që marrin, strategjinë dhe planin tonë. Bashkitë duhet ta konsiderojnë seriozisht që në pjesën e lirë për publikun ku mund të keë vetëm rënë të ketë shërbim, si ai që ka ofruar bashkia e Himarës apo në mos gabohem edhe ajo e Lezhës në një pikë të caktuar”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama tha se do të ndalohet muzika në lokalet buzë plazhit dhe do të bëhet ridimensionim i numrit të tyre.
“Tallavaja e Beach Bareve të vendosura jo për të shërbyer, por për të stresuar gjithë dynjanë, zona të tëra të banuara duhet të vuajë ngritjen e muzikës. Ne do ta ndalojmë muzikën, s’do të ketë muzikë në Beach Bare dhe do të bëjmë ridimensionim të numrit të beach bareve dhe të mënyrës se si do të lidhen me shërbimin në tërësi. U habitëm fare, hapet beach bar, nga beach bari në beach bar është si të kalosh historinë e RockenRoll, me një volum konkurrues. Muzika duhet ndaluar plotësisht jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit muzika duhet të jetë për ata që shkojnë tek beach bari, jo për ata që kalojnë tek bypass-i i Fierit. Nuk është e gjithë bashkia që duhet të dëgjojë jehonën”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



