Nga Gazeta ‘SI’ –Kryeministri Edi Rama ka prezantuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, si reforma për të cilën ka nevojë ky sektor i zhytur në borxhe.
Rama kritikoi 58 ndërmarrjet e shpërndarjes së ujit, të cilat i quajti “çeta” dhe reformën e cilësoi si një katastrofë ndërsa vlerësoi reformëne vitit 2021 që 58 ndërmarrjet i shkriu në 15 shoqëri rajonale.
“Jemi të bindur dhe duke parë ecurinë e një reforme që u ndërmor para ca vitesh që nuk kemi arsye të humbasim kohë dhe të besojmë në një zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje që na është sugjeruar edhe vite më parë. Fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte katastrofë”, tha kreu i qeverisë.
Rama tha se një pjesë e rëndësishme e reformës do të jetë ndëshkimi i abuzuesve, njësoj si në rastin e energjisë.
“Për këtë arsye nisim këtë fazë të dytë të reformës, ndërkohë që po u them një gjë, nga faza e parë janë lidhur në rrejt 100 mijë përdorues të rinj. Dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme, por sa i përket reformës jemi të qartë se çfarë do të bëjmë. Nga prodhimi, tek shpërndarja, furnizimi, njësoj siç bëjmë me energjinë, por njësoj siç kemi bërë me energjinë, do të ndërhyjmë me një plan masash, për të ndaluar abuzimet. Ndryshe nga energjia, këtu nuk jemi në kushtet, që kemi qytetarët që abuzojnë, këtu jemi në kushtet që kemi abuzues për qëllime fitime, abuzues me lavazhe nëpër lagje, me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme, kemi abuzues me lidhje të paligjshme nëntokë, që do të jenë target i planit të masave, në mënyrë që shumica e qytetarëve që nuk abuzojnë dhe që paguajnë, të marrin shërbim të drejtë. Ndërsa ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vjedhën energjinë elektrike. ”, tha Rama.
Ai përmendi keqmenaxhimin, borxhet e larta dhe mungesën e ekspertizës si një ngërç thelbësor në sektorin e ujësjellësit dhe përmendi rastin e Vlorës, ndër më problematiket.
“Kapaciteti për furnizim i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë në nivel vendor është i frikshëm.Raporti për situatën si u menaxhua në Vlorë është i frikshëm. E mora si rast sepse është ndër pikat më atraktive në turizëm. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrjet të administruara në papërgjegjshmëri ekstreme, 13.6 mld arriti në 2020-ën. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe”, u shpreh kryeministri.
Ai ripërmendi dhe njëherë problemin e depozitave të ujit mbi pallatë duke thënë se do të ketë një plane për t’i hequr, për të shmangur katastrofat e mundshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



