Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkimi Europian ka dhënë dritën jeshile për një paketë të re mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të Planit të Rritjes, BE ka miratuar 87.7 mln euro ndihmë, nga të cilat Shqipëria përfiton 32 mln euro për tre projekte të lidhura me fushën e energjisë.
Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro.
Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. Investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro. Projekti i tretë është Linja e re Rrashbull – Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro.
Serbia është vendi që ka fituar më shumë nga BE, 41 mln euro për dy projekte që kushtojnë 186 mln euro, ndërsa Mali i Zi ka përfituar 10 mln euro me projekte që kushtojnë rreth 54 mln euro.
Digjitalizimi në fushën e energjetikës dhe energjia e pastër janë projektet e para që përfshin Plani i Rritjes së BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



