Për shumë gjatë, lufta ndaj krimit financiar ka rezultuar e humbur: ose do të tolerojmë paranë e pistë ose do të rrezikojmë të vrasim ekonominë. Ky perceptim është i gjallë. Autoriteti Kundër Larjes së Parave, AMLA, po ofron një shans për të rikonceptuar sistetmin dhe për të thyer këtë dikotomi.
Shëmbulli më bindës se çarmatimi i bizneseve kriminale mund të jetë shtytës i fortë për ekonominë vjen nga Italia dhe eksperienca tepër e vështirë.
Për shumë dekada, organizatat mafioze shtrembëronin konkurrencën në tregje dhe minonin inovacionin. Duke u infiltruar në sektorë të legjitimuar, nga ndërtimi tek shitjet, këto grupe vendosnin një taksë “parazite” ndaj zhvillimit.
Midis viteve 2018 dhe 2021, rreth 700 firma të lidhura me mafian u zbërthyen. Një studim i BQE-së mbi ndikimin e këtij operacioni, tregon se goditja e kompanive të kontrolluara nga mafia mund të rrisë produktivitetin në zonat e prekura nga ato.
Duke lidhur veprimet e policisë me flukset e kredive lokale, studimi fokusohet në efektet e valëzimit në bizneset e afërta pa lidhje të drejtpërdrejta kriminale. Rezultatet janë befasuese. Aty ku firmat mafioze u mbyllën, kreditimi për bizneset legjitime u rrit me 0.8% në 2.1% , krahasuar me zonat e paprekura nga veprimet e policisë. Në total, ne vlerësojmë se deri në 3.6 miliardë euro kredi të reja u dhanë për kompanitë vendase dhe tani janë në gjendje të zgjerohen dhe të konkurrojnë në një fushë të barabartë.
Ky divident ekonomik është i prekshëm. Ai është i mishëruar në lëvizjet bazë antimafia si Addiopizzo në Palermo, ku mbi një mijë biznese kolektivisht refuzuan të paguanin “taksën” e mbrojtjes, të mbështetur nga konsumatorët vendas. Është e dukshme në suksesin e kooperativave si Libera Terra, e cila kultivon makarona dhe verë organike në tokat e sekuestruara nga kumbarët famëkeq, duke krijuar qindra vende pune legjitime. Kur shteti “çan rrjetën”, krijon hapësirë që sipërmarrjet e ndershme të lulëzojnë.
Përfitimet shkojnë për kreditimit. Me zbërthimin e rrjeteve kriminale, produktiviteti rritet. Të lira nga frika, bankat mund të performojnë qëllimin e tyre kryesor – alokimin e dobishëm të kapitalit. Tregjet bëhen më të drejta dhe konkurrenca më e shëndetshme. Studimi gjen një të vërtetë shumë më të thellë: rajonet e rënduara nga krimi i organizuar frenohen nga institucione të dobëta që lejojnë që korrupsioni të agravojë.
Sidoqoftë, ekziston një nuancë e rëndësishme. Pas një goditjeje, kostot e huamarrjes mund të rriten pak. Kjo nuk është shenjë dështimi, por rritje e transparencës. Veprimet e policisë ekspozojnë rreziqe të fshehura më parë, duke nxitur tregun të rivlerësohett. Ky “efekt informacioni” tregon një sistem financiar më efikas. Në mënyrë thelbësore, ky rregullim kompensohet më shumë nga një fluks investimesh legjitime dhe rindërtimi i besimit.
Gjetjet tona theksojnë gjithashtu një dallim tjetër kyç: jo të gjitha bankat reagojnë njësoj. Bankat lokale me lidhje të thella komunitare përshtaten me shpejtësi, duke dalluar më mirë huamarrësit e besueshëm. Huadhënësit e huaj dhe jo vendas, të cilëve u mungon një pasqyrë e tillë e grimcuar, priren të rrisin ndjeshëm normat kur ndodh ekspozimi ndaj krimit. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e mbështetjes së synuar për institucionet financiare lokale për të ruajtur rrjedhën e kredisë gjatë operacioneve të pastrimit kriminal.
Këto mësime kanë implikime përtej Italisë. Krimi i organizuar është një parazit global, që po largon triliona nga ekonomia botërore. Agjencia e re europiane kundër pastrimit të parave duhet ta ketë parasysh këtë përvojë.
AMLA do të ndihmojë në koordinimin e rregullatorëve kombëtarë, mbikëqyrjen dhe forcimin e shkëmbimit të informacionit përtej kufijve. Por thjesht shtimi i burokracisë nuk mjafton. Politikëbërësit duhet ta shohin luftën kundër krimit si një investim në rritje: një mjedis më i pastër biznesi tërheq kapital.
Për ta bërë këtë të funksionojë, BE-ja duhet të kombinojë zbatimin e ashpër me mbështetjen praktike. Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrësve të bankave duhet të jetë i shpejtë dhe i sigurt. Regjistrat e hapur të kompanive dhe të dhënat e pronësisë mund të ndihmojnë në zbulimin e rreziqeve përpara se të përhapen.
Shumë shpesh, debatet rreth luftimit të krimit të organizuar përqendrohen në argumentin moral ose të sigurisë – por rasti ekonomik është po aq i fortë. Përvoja e Italisë tregon se çfarë është e mundur. Për Europën, mesazhi është i qartë: nëse doni një ekonomi më konkurruese dhe më elastike, frenimi i korrupsionit nuk është një kosto, por një investim.
Shkruar nga Ixart Miquel-Flores, analist pranë Bankës Qendrore Europiane*
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



