Menaxhim

Fondet e IPARD mbeten të bllokuara! BE: Shqipëria t’a trajtojë çështjen me prioritet

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndonëse qeveria pati njoftuar rihapjen e fondeve IPARD në vitin 2025, kjo duket se do të ndodhë në një kohë më të largët.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësues të Bashkimit Europian në Tiranë kanë treguar se financimi për bujqësinë nga IPARD do të mund të rikthehet me kusht që të garantohet mbrojtja  e interesave europiane.

“Bashkimi Europian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Europian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigjen e publikuar nga Report TV.

Komisioni Europian i bën thirrje autoriteteve shqiptare që ta shohin me prioritet këtë çështje, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.

Aktualisht KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II.

“Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Europian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Europian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.

Pak ditë më parë, një grup audituesish nga BE dhe IPARD zbarkuan në Tiranë për të vlerësuar masat e marra nga qeveria në kuadër të shkeljeve, por nuk ka ende një njoftim publik.

Fondet IPARD për Shqipërinë u bllokuan verën e 2023-shit, pasi u konkluduan abuzime.

OLAF, zyra anti-korrupsion pranë Bashkimit Europian, shpjegoi se procedura  edhënies së këtyre fondeve ka qenë abuzive. Aplikantëve i kërkohej që të paguanin një pjesë shumë të madhe të grantit që fitonin, tek një nga kompanitë e përzgjedhura të konsulencës, që më pas do të lehtësonte proceset me AZHBR-n, që menaxhonte fondet e IPARD. Konkursi për fituesit ishte i korruptuar ose tërësisht fals, kishte çmime të fryra dhe shkelje të rregullave.

Pas këtyre gjetjeve OLAF i rekomandoi BE-së, që të ngrijë financimin e dytë të IPARD II 33 milionë euro dhe financimin e IPARD III 112 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë