Menaxhim

Balluku: Tokat jopjellore do të dalin në ankand ndërkombëtar për investime!

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar nisjen e një procesi të ri në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e vendit, me synimin për të vënë në përdorim tokat jopjellore në vend.

“Gjatë analizave dhe studimit të territorit kemi arritur në përfundimin se të gjitha ato toka të pafrytshme në bashkitë e ndryshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike” deklaroi Balluku.

Sipas zv.kryeministres, shpeshherë ka pasur kërkesa për përdorimin me qira afatgjatë të këtyre tokave, por bashkitë nuk kanë pasur kapacitetet apo kuadrin ligjor për të organizuar ankande të mirëfillta.

 “Në bashkëpunim të plotë me bashkitë, kemi nisur identifikimin e tokave të regjistruara në inventarët e tyre, të cilat janë të pafrytshme dhe nuk shërbejnë për bujqësi apo zhvillim lokal. Këto prona do t’i kalojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për t’u përdorur në ankande ndërkombëtare me transparencë të plotë. Ky proces synon jo vetëm rritjen e investimeve të huaja në territor, por edhe përfshirjen aktive të bashkive, të cilat do të jenë partnerë zyrtarë në çdo procedurë, duke përfituar nga të ardhurat që do të gjenerohen dhe duke siguruar përfitim të drejtë për qytetarët. Bashkitë do të përfitojnë nga ky proces dhe qytetarët do të shohin zhvillim real në territorin e tyre,” – u shpreh ndër të tjera zëvendëskryeministrja.

Kjo nismë ka për qëllim përdorimin strategjik të pasurive publike të nënshfrytëzuara dhe përfshirjes më të gjerë të investitorëve ndërkombëtarë në zhvillimin territorial të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë