Menaxhim

KLSH: AZHBR, probleme me sistemet online. Rrezik për hyrje të paautorizuara në sistemin e IPARD

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një auditim në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur disa parregullsi në menaxhimin e sistemeve teknologjike, të lidhura me fondet e IPARD.

KLSH, në raport shkruan se janë 102 usera (përdorues) të sistemit IPARD, nga të cilët 79 aktivë dhe 23 joaktivë. 29 përdorues nuk kanë rol të caktuar (p.sh administratori, oficeri i sigurisë etj) dhe kjo e ka ekspozuar sistemin ndaj riskut të hyrjeve të paautorizuara.

“Ky fakt mbart risk të lartë për ndërhyrje të paautorizuara në sistem duke mos lënë gjurmë mbi aktivitetin që kanë kryer këto përdorues në sistem”, raporton KLSH.

Në sistemin e IPARD ekzistojnë role të përcaktuar në manualin e përdorimit për të cilën nuk dihet funksionaliteti për të cilin është krijuar.

Më tej, audituesit e KLSH-së konstatojnë se sistemi i IPARD, nuk ka arritur informatizimin e nevojshëm dhe ka shumë ngërçe në përdorim. KLSH ngre shqetësimin se në rast të trafikut të përdorimit, si p.sh kur hapen thirrjet për fonde, ekziston rreziku që shërbimi të ndërpritet.

KLSH thekson se sistemet e AZHBR nuk janë eficiente dhe të papërditësuara, duke detyruar punonjësit  të verifikojnë manualisht dosjet voluminoze të aplikuesve.

Në një dokument tjetër qeveria tregoi se në 4 vitet e fundit janë raportuar 146 parregullsi me programin IPARD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë