Nga Gazeta ‘SI’ – Në 10 vitet e ardhshme, qeveria parashikon një rënie të popullsisë me më shumë se 8%.
Projeksionet e paraqitura në Strategjinë e Rinovimit të Ndërtesave tregojnë se deri në 2035-n, Shqipëria do të ketë vetëm 2.2 mln banorë nga 2.4 mln që ka momentalisht. Skenari bëhet optimist për 2050-n, kur qeveria parashikon një rritje të popullsisë në më shumë se 2.6 milionë banorë.
Familjet po ashtu do të zvogëlohen, mesatarisht me 3 persona në 2035-n dhe me 2.5 persona në 2050-n.

Por gjatë kësaj periudhe, stoku i ndërtimeve dhe hapësira e banesave do të vijojë të zgjerohet thotë dokumenti. Nga analiza rezulton se numri i banesave rezidenciale të banuara do të rritet nga 726.325 në vitin 2023 në mbi 1 mln deri në vitin 2050. Parashikimi tregon se stoku i ndërtesave të banuara pritet të rritet nga 56 milionë m² në vitin 2023 në 95 milionë m² në vitin 2050.

Strategjia, që synon të dekarbonizojë banesat duke i rinovuar ato, përllogarit një fond 24 miliardë eurosh për të arritur qëllimin e vendosur nga europianët. Nisma parashikon ndërhyrje në banesat private e publike për të rritur eficiencën energjike, termoizolimin etj.
Për vitin 2023, stoku i ndërtesave pati një peshë prej rreth 37-38% të konsumit total final energjetik, duke u renditur si konsumatori i parë më i madh i energjisë me 37.08%, i ndjekur nga sektori i transportit me 36.56% të totalit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



