Nga Gazeta ‘SI’ –Kanabisi mjekësor do të kultivohet në toka të njëjta ku prodhohen edhe produktet bujqësore.
Sipas VKM-së së fundit të qeverisë, parcelat e kanabisit nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të pyjeve, kullotave dhe livadheve, ushtarake, dhe as urbane. Parcelat duhet të jenë 3 km larg zonave ushtarake apo parqeve të bletëve.
Rregullat bien poshtë kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.
Vendimi përcakton se për kanabisin mjekësor, duhet një mjedis kultivues dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut.
Ambienti duhet të lejojë depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura, si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira të bujqësisë dhe të mbledhjes të Agjencisë Europiane të Barnave.
Pak javë më parë, qeveria miratoi një tjetër vendim për kanabisin, që përcaktonte kushtet për të ruajtuar hapësirat e kultivimit. Sipas VKM-së, çdo ambient ku do të mbillej lënda narkotike, do të kthehej në një “Big Brother”, me kamera aktive 24 orë. Zona përreth duhet të jetë e rrethuar me mur betoni dhe tela me gjemba.
Në draftin e vitit 2023, kur qeveria miratoi vendimin për të prodhuar kanabis mjekësor, thuhet se në nivel kombëtar do të mbillen në total 200 ha tokë. Kriteri i parë për subjektet që kërkojnë licencë, është të kenë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit. Kompania që aplikon duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100.000.000 lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.