Menaxhim

Fasha 700KWh/ Punonjësit e OSSH do të gjurmohen, Balluku: Matje 30 ditore të energjisë, nëse ka vonesa dëmtohet abonenti

Nga Gazeta ‘SI’ – Nga 1 shkurti, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të shtohet me 300 punonjës, që do të angazhohen në leximin e matjes së energjisë pas vendimit të fundit, për faturim mbi konsum. Punonjësit do të jenë të gjurmuar përmes një lokalizuesi të vendosur në aparatin që përdorin.

Zv. kryeministrja Belinda Balluku bën me dije se ky sistem do të mundësojë verifikimin e detajuar të konsumatorëve familjarë që kanë përdorur mbi 700 kWh deri tani, por që nga shkurti do të ulin konsumin nën këtë limit dhe se synohet të rritet transparenca në procesin e faturimit të konsumit të energjisë elektrike, duke reduktuar mundësinë e gabimeve ose manipulimeve.

“Tashmë kemi kaluar nga faturimi me fasha në faturim mbi bazë konsumi dhe kërkohet përpikmëri sa i përket matjes. Duhet të jetë matje 30-ditore. Nuk duhet të ketë vonesa, pasi do të dëmtohej abonenti, duke kaluar masën 700 kilovat-orë dhe nuk do të mund të përfitonte çmimin e ulur të energjisë. Kemi një trupë të konsiderueshme prej 870 punonjësish. Kësaj trupe do t’i shtohen edhe 120 punonjës të rinj, pasi nga 1 shkurti OSHEE do të aplikojë një çmim të ri, 10.5% më të ulët për më shumë se 1 milion abonentë familjarë, që përbëjnë 95% të numrit total të abonentëve”, deklaroi zv/kryeministrja Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë