Bota

Jemeni godet me raketë një park publik në Tel Aviv, të paktën 16 persona të plagosur

Gazeta Si - Gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, një raketë e lëshuar nga rebelët Houthi nga Jemeni shpërtheu në një park publik në Tel Aviv, në pjesën jugore të qytetit, pranë Jaffa-s, lagje arabo-izraelite.

Ushtria, e cila flet për një "raketë", konfirmoi sulmin dhe bëri të ditur se të gjitha përpjekjet për ta kapur atë dështuan dhe se për rrjedhojë nuk u bë e mundur shmangia e goditjes. Sipas Qendrës Mjekësore Wolfson, 16 persona u plagosën lehtë, duke përfshirë disa fëmijë.

Në rrjetet sociale dhe kanalet Telegram po qarkullojnë video (jo nga burime zyrtare) që tregojnë përpjekjet e dështuara për të kapur raketën dhe në fund goditjen në tokë.

Ka dëmtime të vogla në disa prej ndërtesave pranë vendit të shpërthimit që krijoi një krater në parkun ku ndodhi.

Pas dëgjimit të sirenave të alarmit është dëgjuar një shpërthim. Dhe në agim, Hezam al-Asad, nga zyra politike e rebelëve Houthi jemenas, komentoi përmes platformë “X”: "Dështimi i të gjitha sistemeve të mbrojtjes izraelite, do të thotë se zemra e armikut sionist nuk është më e sigurt".

Dhe ai premtoi se "operacionet ushtarake jemenase do të intensifikohen. Ato janë operacione ushtarake, janë të ligjshme, synojnë të ndalojnë agresionin ndaj fëmijëve tanë në Gaza”.

Kanalet Telegram që ndjekin situatën në Lindjen e Mesme raportojnë gjithashtu deklaratën e një zyrtari tjetër Houthi, Nasser al-Din Amer: “Është e qartë se raketa është hipersonike dhe shpejtësia e saj është e jashtëzakonshme. Sionistët do të shkatërrohen nëse nuk ndalojnë agresionin në Gaza dhe nëse nuk ndalojnë së sulmuari Jemenin”.

Në mëngjes, Houthi-t e Jemenit morën përgjegjësinë për lëshimin e një "rakete balistike hipersonike" të quajtur "Palestine 2", e cila goditi "zonën e pushtuar të Jaffa-s" në jug të Tel Avivit.

"Raketa goditi objektivin e saj me saktësi dhe sistemet e mbrojtjes dhe përgjimit nuk arritën ta kapnin atë", - tha zëdhënësi i Houthi-t, Yahya Saree në një fjalim televiziv, duke shtuar se sulmi ishte një përgjigje ndaj "masakrave kundër vëllezërve tanë në Gaza", si dhe agresionit izraelit “kundër vendit tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë